Gjykata Kushtetuese ka caktuar 23 qershorin si datë për zhvillimin e seancës për shyrtimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet lokale duke mos marrë pjesë në garë në asnjë prej 61 bashkive të vendit.
Pasi përfundoi procesi zgjedhor, opozita, konkretisht kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.
Për shkak të masave anti-COVID, Gjykata Kushtetuese thekson se seanca plenare do të mbahet në orën 10:00, pa praninë e publikut.
Gjykata do të shqyrtojë padinë dhe më pas brenda afateve ligjore do të dalë me vendim për njohjen ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, proces ky, i cili shkaktoi debate dhe sulme të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Më 23 qershor, Gjykata Kushtetuese do të kalojë në “lupë” edhe një çështje tjetër, që lidhet konkretisht me “verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.