Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë detyrimin për të marrë leje për të organizuar një protestë apo tubim. Vendimi është marrë më 4 maj, pas kërkesës së Gjykatës së Apelit të Shkodrës për të shfuqizuar nenin 262 të Kodit Penal.
Në njoftimin në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, bëhet me dije se shfuqizohet togfjalëshin “pa marrë leje më parë në organin kompetent” në nenin 262 të Kodit Penal. Ky vendim hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky ishte kushti i cili e bënte një protestë të paligjshme. Më parë Kodi Penal dënonte me gjobë deri me burgim të gjithë ata të cilët organizonin protesta pa marrë leje.
Sipas ligjit për tubimet, nuk kërkohen miratim nga policia por thjesht njoftim. Neni 5 i ligjit përcakton detyrimin e organizatorëve të protestës të njoftojnë policinë për vendin dhe kohën e protestës apo tubimit.