Gjykata Kushtetuese, rrëzon pragun 1% të votave në rang kombëtar për kandidatët e pavarur

944
Gjykata Kushtetuese. Foto: ATSH

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të hënën, si antikushtetuese “Të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike”.

Kandidati i pavarur për deputet, Elton Debreshi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në prill të këtij viti për të kërkuar shfuqizimin e kriterit të pragut kombëtar 1% për kandidatët e pavarur. Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat u miratuan në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste dhe Kuvendi i kontrolluar prej saj tetorin e vitit 2020, subjektet zgjedhore duhej të merrnin 1% të votave në rang kombëtar, para se të fitojnë të drejtën të përfshihen në llogaritjen e mandateve.

Përfaqësuesi ligjor i Elton Debreshit, avokati Gentian Serjani e quajti një fitore për shoqërinë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi i hap rrugë një gare të ndershme zgjedhore. “Dakordësia ime si avokat dhe Eltonit mbi këtë padi ishte që rezultati pozitiv, nëse do të pranohej nuk do të kishte efekt drejtpërdrejtë tek Eltoni, por tek shoqëria Shqiptare. Ky vendim, ka ndikim pozitiv tek zhvillmet demokratike të Shqipërisë. Tashmë çdokush që nuk ndan të njëjtin mendim me forcat politike aktuale, mundet të garoj pa u trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Kodi Zgjedhor.” u shpreh Serjani.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.

Në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshi ishte kandidati i vetëm i pavarur që garoi në qarkun Dibër dhe arriti të grumbullonte vetëm 580 vota. Debreshi në fillim të muajit prill ishte i vetmi kandidat për deputet që u gjobit me 5 milionë lekë për shkeljen e masave anti-COVID gjatë një organizimi të një tubimi më 26 mars në Bulqizë.

Kandidatët e pavarur në Shqipëri janë fenomene të rralla dhe janë rralluar akoma më shumë që nga viti 2008, kur Edi Rama, në atë kohë kryetar i opozitës dhe Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, ranë dakord me njëri-tjetrin në negociata të fshehta të krijojnë sistemin aktual zgjedhor që ka dobësuar deputetët dhe ka bërë të plotfuqishëm udhëheqësit partiakë. Në zgjedhjet e 25 prillit ishin katër kandidatë të pavarur, tre të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe minatori Elton Debreshi, i mbështetur nga disa aktivistë të majtë të njohur si Organizata Politike. Asnjëri prej kandidatëve të pavarur nuk arritën të marrin një vend në ulëset e Kuvendit të Shqipërisë.