Gjykata e Matit liron nga burgu anëtarin e bandës së Durrësit, prokuroria ankimon vendimin

782
Gjykatën e Matit. Foto: Sami Curri

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, vendosi lirimin nga burgu të shtetasit Selman Heta, i akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit dhe i dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Megjithëse vendimi i fundit nuk është zbardhur ende nga Gjykata e Matit, mësohet se çështja është shqyrtuar nga gjyqtari Rexhep Karaj në datën 15 nëntor 2021. Ky i fundit ka marrë në konsideratë disa rrethana lehtësuese për lirimin e të dënuarit Selman Heta.

Shërbimi i Provës pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat i ka paraqitur kësaj gjykate, një relacion të gjatë duke argumentuar se sjellja në burg gjatë 17 viteve e Hetës ka qenë korrekte dhe brenda të gjitha rregullave. Për Shërbimin e Provës, gjatë vuajtjes së dënimit, Heta nuk ka kryer “gabime” të tjera, ka pasur marrëdhënie normale me të dënuarit e tjerë, si dhe me autoritetet e burgjeve ai ka qenë i izoluar.

Një “argument” tjetër që ka përdorur Karaj është se ky i dënuar me 25 vjet burg, ka vuajtur fizikisht 17 vjet izolim dhe duke e konvertuar sipas ligjeve në fuqi, Heta ka shlyer 23 vjet dënim, pra i mbetej dhe 2 vjet burg për të kryer.

Sipas gjykatës, ai ka vuajtur mbi 3/ 5-at e burgut dhe në këto rrethana mund të lirohej. Kohët e fundit, Selman Heta ka humbur nënën e tij dhe aktualisht në familjen e tij, në fshatin Komsi të Matit, jeton vetëm babai i vetmuar.

Gjykata ka siguruar prova dhe fakte nga pushteti lokal se familja Heta, jeton në kushte ekstremisht të vështira. Po sipas burimeve pranë Gjykatës së Matit, Selman Heta ishte vetëm 18 vjeç kur ai është “rekrutuar” nga banda e Durrësit, duke u përfshirë në ngjarje kriminale. Këto e të tjera “fakte” janë përmendur gjatë seancës gjyqësore, ku Heta ka kërkuar “lirimin me kusht”.

Por ky vendim i Gjykatës së Matit është ankimuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat me argumentin se shtetasi Selman Heta, paraqet rrezikshmëri dhe ka ende për të vuajtur edhe 3 vjet e 6 muaj burg. Prokuroria këmbëngul në rikthimin në qeli të Hetës, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

DËSHMIA

Selman Heta, i konsideruar vrasës me pagesë, është personi që ka zbërthyer gjithë veprimtarinë e bandës së Durrësit, por më pas, gjatë procesit, i ka tërhequr deklaratat e tij. Midis të tjerash, ai ka deklaruar se do të paguhej 100 mijë euro për vrasjen e Lulzim Berishës.

“Për të vrarë Lulzim Berishën më kanë ofruar një shumë 100 deri në 150 mijë euro, por m’u bllokua pistoleta dhe munda vetëm ta plagos atë dhe dy personat që po e shoqëronin. Për këtë mora vetëm 25 mijë euro”, ka deklaruar Heta gjatë procesit gjyqësor. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për krimet e kryera gjatë kohës që ka qenë pjesë e kësaj organizate kriminale. Heta ka kërkuar leje shpërblyese më herët, por i është refuzuar për shkak të rrezikshmërisë së lartë që konsiderohet se ka si person. Bulqizaime.al mëson se ka qenë një shkresë e babait 85-vjeçar të Lulzim Berishës, paraqitur në gjykatë se me familjen e Hetës i kanë zgjidhur problemet dhe nuk ka më konflikte ndërmjet tyre.

Rexhep Karaj, gjykatar i Rrethit Gjyqësor Mat që vendosi lirimin nga burgu të shtetasit Selman Heta, këtë të mërkurë nuk ishte i pranishëm në seancën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për arsye shëndetësore. Procesi i tij i vetingut për gjyqtarin Karaj po kryhet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Roland Ilia. Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Matit.