Gjykata e Dibrës gjobit sërish avokatët e “Dosjes 184” për mungesa të paarsyeshme

653
Avokatët e të pandehurve të dosjes 184, Petrit Ismaili dhe Gentjan Rumano. Foto: ABC NEWS

Gjykata e Dibrës shtyu të mërkurën seancën e gjykimit për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër. Shtyrja për të disatën herë të seancës u mor për shkak të mungesës së avokatëve të pandehurve, Petrit Ismaili dhe Gentjan Rumano. Këta të fundit nuk kishin sjellë asnjë arsye për mungesën e disatë në seancat gjyqësore.

Në seancën e së mërkurës ishte i pranishëm Robert Aga, ish-shefi i komisariatit Dibër, i akuzuar nga prokuroria, me akuzën për “shpërdorim detyre” dhe Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës akuzuar edhe ai për “shpërdorim detyre”.

Gjyqtarja Nertila Kape vendosi gjobitjen e dy avokatëve – Gentjan Rumano dhe Petrit Ismaili me nga 50,000 lekë gjobë secili për mungesën e vazhdueshme në seancë.

Në muajin shtator gjyqtari Ardit Kuka, kishte vendosur gjithashtu gjobitjen e këtyre dy avokatëve për shkak të mungesës në seancat për të akuzuarit nga prokuroria, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, Drini Gjeci në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

“Është e drejta juaj që kodi i procedurës penale jua njeh për të zgjedhur deri në dy mbrojtës që ju të mbroheni, por kjo nuk mund të përbëj shkak për zvarritjen e gjykimit, pasi është e disata seancë që për të njëjtët avokatë kanë të njëjtën arsye të mungesës. Një herë nuk vini ju një herë nuk vjen avokati, një herë është i sëmurë tjetri, një herë tjetër nuk kam marrë dijeni – tani duhet ta zgjidhni mes jush ose zgjidhni avokat të tjerë që të vazhdoni gjykimin. Është edhe e drejta juaj, nëse e njihni ligjin mund të mbroheni edhe vetë. Nuk është detyrim me patjetër që të keni edhe avokatin, është e drejtë dhe jo detyrim.” u shpreh ajo.

Dy të pandehurit refuzuan fillimin e seancës pa praninë e mbrojtësve, ndërsa nuk dhanë arsye për mungesën e tyre. “Refuzoj që senaca të vazhdojë pa praninë e avokatit. Pasi të gjithë dokumentacionin tim ja kam deleguar atij. Do të kontaktoj sërish këto ditë me të dy avokatët dhe nëse ato e kanë të pamundur për të më përfaqësuar do të gjej një avokat tjetër.” Shtoi Robert Aga.

Sipas Agës në këtë gjykim kishin mbetur “fakirat” dhe “më të lodhurit”.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa here gjatë muajve të fundit.

Seanca e radhës për dy të akuzuarit e dosjes 184 është vendosur më 3 nëntor në orën 12:40.