Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, këtë të hënë vendosi në favor të banorëve të Zall Gjoçaj, për pezullimin e vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, ERE, për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Zais”. Vendimi i ERE-s për licensimin e shoqërisë ishte marrë në 10 nëntor 2020 dhe u kundërshtua nga banorët fillimisht pranë Entit dhe më pas edhe në Gjykatë Administrative.
“Gjykata vendosi që ta shfuqizojë pjesërisht vendimin e ERE, pikërisht për pjesën e licensimit të HEC-it Zais, pasi HEC-i shtrihet në zonën e mbrojtur”, tha avokatja e banorëve të Zall Gjocaj, Dorina Ndreka. Banorët kanë ngritur disa padi ndaj HEC, që sipas tyre dëmton zonën.
Një përfaqësues i kompanisë “Seka Hydropower”shpk, tha se nuk ishte në dijeni të vendimit.
Për Dhimitër Kolecin, një prej banorëve që kundërshton ndërtimin e hidrocentralit, ky vendim i Gjykatës Administrative ngjall shpresën për drejtësi të banorëve, në atë që e konsideron masakër mjedisore në një park kombëtar.
“Kjo është një fitore. Firma ka të drejtën të punojë, por jo të prodhojë energji. Kjo është një fitore e vogël për banorët”, tha Koleci, që shtoi se banorët do të vazhdonin betejat gjyqësore kundër ndërtimit të HEC.
Banorët e depozituan padinë kundër ERE më 3 dhjetor 2020, ndërsa paralelisht në këtë gjykatë po trajtohen edhe dy padi të tjera për ndalimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në zonën Lurë – Dea. Kjo zonë bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore. “Presim të hënën për vendimin e gjykatës, këtë herë për punimet që po bëhen”, tha Koleci.
Leja për HEC-it në Zall Gjocaj u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por prej muajsh banorët e kundërshtojnë ngritjen e tij dhe kanë deklaruar se nëse nuk u dëgjohen ankimet do të përdorin forcë për të ndaluar punimet. Në nëntor të vitit 2019-të, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi kërkesën e banorëve të Zall Gjoçaj për të pezulluar punimet deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes në themel.
Kundërshtimi i banorëve për ndërtimin e HEC është shoqëruar me protesta, ndërsa disa herë makineritë e kompanisë ndërtuese janë djegur. Lejet për hidrocentrale të vogla kanë krijuar probleme dhe përplasje të banorëve me kompanitë në të gjithë vendin.