Gjykata Administrative rrëzon padinë e banorëve, lejohet ndërtimi i HEC-eve në Zall – Gjoçaj

702
Banorë e fshatit Zall Gjoçaj, protestojnë kundër ndërtimit të HEC-eve. Foto: Sami Curri

Gjykata Administrative në Tiranë ka rrëzuar të hënën padinë e banorëve të Zall – Gjoçaj në Mat, që kërkonin anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në zonën Lurë – Dea. Banorët kishin paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, me objekt detyrimin e palëve për të ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të këtyre HEC-ve, brenda zonës së mbrojtur.

Gjyqtari Bezart Kaçkini, në vendimin e marrë deklaroi se institucionet shtetërore nuk kanë vepruar, por proceduralisht nuk mund ta pranonte këtë padi.

Avokatja e banorëve, Dorina Asllani i tha BIRN se gjykata konstatoi një sërë shkeljesh, por i konsideroi ato si pavlefshmëri relative. “Në padinë e parë ne kërkuam pavlefshmëri absolute të akteve administrative. Gjykata u shpreh se keni të drejtë, ka shumë shkelje, por nuk është pavlefshmëri absolute, por pavlefshmëri relative”, tha Asllani.

Sipas saj banorët nuk kërkonin dot pavlefshmëri relative për shkak të afateve të kapërcyera. Ajo tha se padia do të dërgohej në apel, pasi gjykata ndërkohë i ka konstatuar 10 shkelje nga ana e institucionev. “Patjetër që ne do të ndjekim edhe hapat e tjerë ligjorë dhe do të bëhet ankim në apel”, tha Asllani për BIRN.

Leja për HEC-it në Zall-Gjoçaj u miratuan në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por prej vitesh banorët e kundërshtojnë ndërtimin.

Sali Koleci, njëri nga banorët që ka ngritur padinë u shpreh për mediat pas përfundimit të seancës, se ai dhe banorët e tjerë janë të zhgënjyer nga vendimi i gjykatës, që lejon ndërtimin e HEC-eve.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në 18 janar kishte vendosur në favor të banorëve të Zall Gjoçaj, për pezullimin e vendimit të ERE-s, për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Zais”. Një vendim i tillë krijoi shpresën tek banorët se ndërtimi i HEC-eve në zonën Lurë – Dea do të pezulloheshin nga gjykata.

Kundërshtimi i banorëve për ndërtimin e HEC është shoqëruar me dhjetra protesta, ndërsa disa herë makineritë e kompanisë ndërtuese janë djegur.