Sot u bë publike se policia e Bulqizës paska vendosur një gjobë prej 5 milionë lekesh (të reja) për kandidatin e pavarur, Elton Debreshi.
Kjo gjobë nuk lë shije të mirë. Ajo duket se nuk është vetëm kundër Elton Debreshit, por është kundër çdo qytetari që guxon të mos jetë dakord me vendimet e padrejta të qeverisë dhe biznesmenëve pas tyre.
Policia bën mirë të tërhiqet nga kjo gjobë. Ajo është krej e njëanshme dhe në mos respektim të ligjit. Nëse do të ishte në respekt të ligjit, sot policia duhet të kishte publikuar edhe gjobat e ngjashme për 10 apo 20 kandidatë të tjerë në fushatë. Është në nderin e policisë që të ruajë nderin e zgjedhjeve. Një drejtues i lartë i policisë së Dibrës është në një proces gjyqësor për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve. Policia tani nuk duhet të vazhdojë në këto gjurmë krimesh zgjedhore.
Gjithashtu, është edhe në nderin e kandidatëve të partive kryesore, PD e PS, që ti kërkojnë policisë të mos e ndyjë procesin. Një mandat deputeti nuk krahasohet kurrë më standardin e zgjedhjeve.
Në qoftë se kandidatura e Debreshit rrezikon mandatet e dy partive kryesore në qarkun e Dibrës, kjo nuk është për fajin apo meritën e tij. Kjo është si pasojë e gabimeve të dy partive të mëdha, që gjatë qeverisjeve të tyre nuk kanë mundur të sigurojnë një jetese më të mirë për minatorët, një qeverisje më të mirë për Bulqizën. Statusi i minatorëve, megjithëse i premtuar vazhdimisht në çdo fushatë, nuk është miratuar jo për faj të Elton Debreshit dhe minatorëve të tjerë, por për faj të politikave të gabura të PS dhe PD.
Bulqiza sot duhet të kishte shkollat më të mira në vend, spitalin e qendrat shëndetësore model, çerdhe e kopshte më standarde më të larta, ujë e rrugë në çdo fshat.
Elton Derbreshi mund të mos fitojë, por edhe nëse fiton mund të mos arrijë ta miratojë statusin e minatorit. Por, ajo që po arrin Elton Derbeshi është se po nxjerr zbuluar qeverinë e sotme të PS dhe asaj të PD, të cilët nuk kanë realizuar premtimet ndaj minatorëve dhe tani, me Debreshin në fletën e votimit, nuk u dalin parashikimet.
Ndaj, është koha që kandidatët të bëhen bashkë në këtë fushatë: ti kërkojnë policisë të tërheqë gjobën dhe ti premtojnë kandidatit të pavarur të gjitha hapësirat për një fushatë elektorale të barabartë. Madje, ti premtojnë që në parlament, me apo pa Debreshin, do të jenë së bashku për statutin e Minatorit dhe jo vetëm!