Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore të DVP Tiranë, nëpërmjet makinës inteligjente dhe radarëve, ka vijuar monitorimin e Rrugës së Arbërit, me makinën inteligjente dhe me radarin Patrol.
Si rezultat i monitorimit, gjatë dy ditëve të fundit, në rrugën e Arbërit janë konstatuar 11 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi 70 km /h, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, pasi rruga është akoma në ndërtim.
Këtyre drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga 1 deri në 3 muaj, si dhe janë ndëshkuar edhe me masë administrative nga 7000 deri në 15000 lekë secili.
Po gjatë monitorimit në rrugën e Arbërit, nga makina inteligjene dhe radari Patrol janë konstatuar në shkelje për shpejtësi, rrip sigurimi e përdorim celulari, por edhe për parakalime të gabuara që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, 74 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa të ndryshme administrative, sipas shkeljeve përkatëse.
Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara në Rrugën e Arbërit, megjithëse fluksi i automjeteve është normal, po ashtu edhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, do të vijojë monitorimin intensiv të këtyre akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë dy ditëve të fundit, në Rrugën e Arbërit dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën janë pezulluar 30 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, 252 drejtues mjetesh, nga këta 141 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë apo të trefishtë.