Qeveria ka rikthyer taksën e rilicencimit për pikat me pakicë të karburanteve, edhe pse kjo taksë vitin e kaluar u shpall si e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese.
Tregtarët e karburanteve thanë për SYRI.net se vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave dhe ai do të çojë automatikisht në rritjen e çmimit të naftës mbi 5 lekë për litër.
Sipas vendimit të qeverisë, taksa e re është vendosur të jetë 3 milionë lekë ose 22 mijë euro për Tiranën dhe 1 milionë lekë për pikat e tregtimit që ndodhen nëpër rrethe.
Tregtarët thonë se kostoja shtesë e taksës do të përcillet tek konsumatori përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve.
Historiku
Në dhjetor të vitit 2015 përmes një vendimi të beftë dhe të pakonsultuar me grupet e interesit qeveria rriti me 160 herë taksën e rilicencimit të stacioneve që tregtojnë karburant. Për kryeqytetin taksa u rrit 30 mijë lekë që kishte qenë më parë në 5 milionë lekë, ndërsa për rrethet e tjera ajo nga 20 mijë lekë u bë 2 milionë lekë.
Vendimi i kundërshtua me forcë nga shoqata e hidrokarbureve, e cila e paditi në Gjykatën Kushtetuese. Në muajin nëntor, Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve dhe e rrëzoi taksën e re si antikushtetuese.
Por edhe pse Gjykata e shpalli taksën të paligjshme qeveria nuk është tërhequr. Në mbledhjen e fundit përmes një vendimi të fshehtë ajo e ka rikthyer taksën, edhe pse në tarifa më të ulëta, 3 milionë për Tiranën dhe 1 milionë për pikat e tregtimit në rrethe.