Gazment Bardhi, ka shkarkuar zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit.
Emrat e shkarkuar
1) Drejtorit të IEVP Fier z. Jetnor Krakulli;
2) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës z. Ani Dyrmishi;
3) Drejtorin e IEVP Lezhë z. Eduart Kurti;
4) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë znj. Adriana Shehu;
5) Drejtorit të IEVP Rrogozhinë z. Ahmet Bala;
6) Drejtorit të IEVP Burrel z. Fatjon Kurti;
7) Kryetarit të Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës z. Surin Hoxha;
-Drejtorit të IEVP “Jordan Misja” (nr.313) z. Fatjon Fana.
Referimet ne prokurori
Ministri i Drejtësisë z.Bardhi, sipas rastit, i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se zyrtarët e lartëpërmendur, kanë kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal.
Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë. Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit.
Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.
Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.