1. Një përshkrim i shkurtër
Në Shqipëri, Dibra është një prefekturë afër kufirit me Maqedoninë, ku ndodhet pothuajse homonimia e saj Debar, një vend kufitar ku ju mund të gjeni atmosferën magjike të Ballkanit dhe një natyrë të paprekur e cila ofron parqe natyrore, liqene malore dhe akullnaja. Një hotel në prefekturën e Dibrës është një bazë e mirë për atë që dashuron malin dhe dëshiron të zbulojë majat e Vendit të Shqipes, të pasura me pyje dhe kafshë akoma edhe sot të paprekura nga dora e njeriut. Kërkoni në sitin tonë ofertat e minutës së fundit apo paketat e sugjeruara dhe nuk do të pendoheni.
2. Pozita Gjeografike
Dibra shtrihet në veri-lindje të Shqipërisë, në anën lindore të luginës së Drinit të Zi, duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabi dhe në përëndim nga vargmalet e Lurës. Qendra e rrethit është qyteti i Peshkopisë e cila shtrihet 187 km nga kryeqyteti, dhe 21 km largësi nga pika e doganës së Bllatës në Maqellarë. Në veri Dibra kufizohet me rrethin e Kukësit 75 km, në perëndim me Mirditën 13 km, dhe me rrethin e Matit 60 km, në jug me Bulqizën 28 km.
3. Si të mbërrini
Nëpërmjet Ajrit: Ju mund të vini në Dibër nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 166 km.
Nëpërmjet Detit: Nga deti mund të vini nëpërmjet portit kryesor të Durrësit, 197 km.
Nëpërmjet Tokës: Nëse vini nga kufiri i Kosovës me të cilin Dibra kufizohet në lindje, duhet të ndiqni këtë itenerar (Prizren 154 km – Kukës 120 km – Rec 130 km SH6 – Peshkopi 36,7 km – Dibër Sh6).
Nëse vini nga Maqedonia duhet të kaloni nëpërmjet pikës së Bllatës, që lidh Peshkopinë me Dibrën e Madhe, 21 km. Veprimet doganore në këtë pikë kryen deri në orën 22:00.
Nëse vini nga Kukësi duhet të ndiqni këtë itenerar (Gostil 61.3 km- Ujisht 98.6 km – Rec 130 km SH6 – Zall Dardhe 67.9 km-Peshkopi 36.7 km-kukes).
Nëse vini nga ana jugore e Dibrës, duhet të kaloni nga Bulqiza (Sh6 – Bejn – Klos 15.5 km).
4. Historia
Qyteti i Dibrës i ka fillesat e saj 6.000 vjet para erës sonë, burimet arkeologjike të Cetushit dhe të kalasë së Gradishtes në lagjen Bulkaj të qytetit të sotëm dëshmojnë qartë për gjurmë popullimi në këtë rajon. Në këtë lagje janë gjetur edhe rrënojat e një kishe jashtë mureve të kështjellës duke e bërë të qartë se ka pasur edhe vendbanim tjetër. Ka edhe vendbanime të tjera si kështjella e Zdojanit, Kallcishtit si edhe kishat e Dohoshishtit. Në shekullin e II para erës sonë përmendet një qytet me emrin Debe, emër i njohur ky në botën antike jo vetëm Ilire por dhe në atë greko-romake. Deborët kanë qenë paraardhësit e parë të Dibranëve të sotëm, por ky fis është shpëngulur nga atdheu dhe vendin e tyre e ka zënë një fis tjetër me emrin Penest, i cili ka luajtur një rol të madh në luftën Iliro-Romake, mendohet që në shekullin e II të jetë liruar nga deborët dhe populluar nge penestet. Në bazë të gjuhës shqipe emri nuk thirret Dober po Dibër. Po përsëri për të dëshmuar se ky popullim ka një vazhdimësi, në fund të shekullit të X dhe fillim të shekullit XI, gjendet e ndërtuar një peshkopatë në Dibrën e poshtme.
Emri i Dibrës përmendet nga shekulli i V para erës sonë nga Herodoti, e më vonë në shekullin e I të erës sonë nga Straboni dhe Plini. Këta përmendin, fisin e Doberëve, të cilët themeluan qytetin e tyre me emrin Dober. Ptolomeu në shekullin e II të erës sonë konfirmon në hartat e tij planin e qytetit të quajtur Dober apo Doberos, dhe banorët e tij Doberët. Hulumtimet arkeologjike dhe historike të deritanishme konfirmojnë se Dibra është pasardhësi i qytetit të Doberos, prej nga rrjedh dhe emri i sotëm Dibër. Dibra ka qenë qendër e njohur tregtare dhe e artizanatit në të kaluarën dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e këtij regjioni. Në vitin 1502 njihet si qendër e rëndësishme qytetare. Në vitet 30-40 të shek. XIX, ka afro 8.400 banorë dhe 250 dyqane, ajo ishte një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike. Deri në vitin 1911 Dibra ka qenë një nga vendet më të zhvilluara si nga ekonomia, artizanati, tregtia, ndërtimet dhe arkitektura e saj e veçantë, sie dhe nga plani kulturor e social.
Në këtë kohë Dibra numëronte 11.000 banorë dhe 462 shitore. Por mbas turbullirave dhe luftrave Ballkanike ky vend e humbi rëndësinë e vet, kështu që sot është një nga vendet më të pazhvilluara në Shqipëri. Dibra ka qenë një nga vatrat e qëndresës kundër pushtuesve të ndryshëm dhe ka dhënë një ndihmesë të veçantë në luftrat shqiptaro-osmane nën udhëheqjen e Skënderbeut, pasi ka qenë edhe vendlindja e tij. Edhe pse kanë pasur ndikime nga kulturat e tjera, dibranët ende sot ruajnë në mënyrë fanatike traditën e tyre, zakonet e vjetra, këngët, lojrat, veshjet dhe të gjithë simbolet e tjera etnografike.
5. Popullsia, Besimi, Ekonomia
Popullsia: Në rrethin e Dibrës banojnë 75.262 banorë, nga viti 1990 janë larguar 24.106 banorë pasi në vitin 1990 ky rreth kishte afro 99.368 banorë. Kjo popullsi është vendosur në Tiranë 67 %, Durrës 21% dhe rrethe si: Lushnje, Fier, Lezhë,Kavajë, deri Sarandë dhe Shkodër. Nga pikëpamja administrative ky rreth ka në përbërjen e tij një bashki (Peshkopia), dhe 14 komuna.
Besimi: Në Dibër bashkëjetojnë tri fe: Ortodokse 4.5 %, Muslimane 94.5 % dhe Katolike 0.4%. Qyteti i Dibrës dallohet për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën mes popullsisë së krishterë dhe asaj myslimane.
Ekonomia: Në rrethin e Dibrës dega që jep më shumë se 50 % e të ardhurave është bujqësia. Gjithashtu dhe blektoria është shumë e rëndësishme, ajo ka qënë gjithnjë baza e ekonomisë bujqësore. Indrustia në rrethin e Dibrës ka qënë gjithnjë një degë e dytë. Pas viteve ’90 do të kemi një shkatërrim të atyre objekteve indrusriale që kishte, tani po vihet re një përmisim i vogël në këtë drejtim në degë si indrustria ushqimore, ajo e përpunimit të produkteve bujqësore e blektorale si edhe ajo e lëndëve të para për ndërtim.
6. Tradita dhe Zakone
Veshjet popullore: Burrat kanë përdorur fustanella. Burri vishte nën këmishë një fustanellë dhe një palë të mbathura të gjata, kallçinot ose kofshoret, mbi këmishë ngjishte brezin e gjatë të punuar në vegjë me ngjyrë të kuqe. Sipër vishte dollame shajaku e xhurdinë. Ata kanë përdorur kësulën e bardhë të leshit dhe kanë veshur opinga. Në Gollobordë ku dhe sot ruhet veshja tradicionale gratë kanë veshur këmishë të bardhë me pala nën sqetull, brez i kuq leshi (nizamçe), bohçe e parme e kuqe, shami e bardhë me ornamente të qendisura, xhoke e shkurtër e bardhë, çorape të bardha, opinga me gjalma, çapraze, vath ilirjan dhe doreza.
Vallet janë dinamike me plot lëvizje e plastikë. Rrotullimet, uljet dhe ngritjet e kërcimtarëve shprehin vitalitetin e dibranit ekspresiv. Vallet dyshe me lëvizje të ngadalta në fillim dhe pastaj të shpejta e me dinamizëm, me plot ritëm e gjallëri, janë tipike valle dibrane. Instrumentat muzikore më të përdorur janë: çiftelia, fyelli, lodra, çurla etj.
Kuzhina: Dibra shquhet për gatime tradicionale, është për t’u përmendur biriani i përgatitur me jufka (të cilat janë makarona të përgatitura vetëm me miell, vezë dhe qumësht), apo me oriz të gatuar me mish. Jani, siç e quajnë vet dibranët, është gjellë që gatuhet me mish dhe me qep. Ndërsa si ëmbëlsirë tipike është sheqerparja e gatuar me miell, vezë dhe shumë gjalp.
7. Vende për t’u vizituar
Llixhat e Peshkopisë: Në afërsi të qytetit të Peshkopisë ndodhen burimet e ujërave termo-minerale sulfi-hidrike, të njohura me emrin “Llixhat e Peshkopisë”, ose “Banjat”, siç i thërret populli ynë, me vlera të pallogaritshme kurative, turistike, për rritjen e luleve, të disa llojeve të peshkut, për ngrohje etj.
Itinerare Jashtë Qytetit
Kalaja e Dodës shtrihet në veri të rrethit Dibrës dhe ka një sipërfaqe prej 7990 Ha, me një terren kryesisht malor që fillon nga 700 m mbi nivelin e detit deri mbi 2.500 m. Kalaja e Dodës ndodhet në mes të rrugës Peshkopi-Kukës, 35 km larg Peshkopisë dhe 35 km larg qyetit të Kukësit. Nga lindja kufizohet me kufirin shtetëror të Maqedonisë, nga jugu dhe jug-perëndimi me komunën e Sllovës dhe nga Perëndimi me komunën e kalisit dhe Bushtricës së Qarkut të Kukësit. Kalaja e Dodës shtrihet rrëzë malit më të lartë në Shqipëri, mali i Korabit me një lartësi prej 2.751 m, me një pamje piktoreske mahnitëse, me pyje, kullota dhe pak tokë bujqësore.
Mali i Korabit është një nga malet më të larta të Evropës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me gurë, shkëmbinj dhe kullota të pafund, e cila vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e saj e cila ka lartësinë 2.764 m. Pika e nisjes për ngjitje alpinistike në Korab është fshati Radomirë, i lidhur me rrugë automobilistike me Peshkopinë. Nga ana e Maqedonisë mund të udhëtohet deri në fshatrat e Rekës duke udhëtuar nga Gostivari e deri në disa prej këtyre fshatrave siç janë: Nistrova, Bibaj, Zhuzhnja, Rimnica, Grekaj, Tanusha, Nivishta si dhe në pjesën tjetër të Strezimirit nga organizohen marshet alpiniste çdo vit.
Fusha e Panaireve: Tek Vargu i Korabit takohen cirqe akullnajore, herë-herë edhe liqene të vegjël, të shpërndarë shkallë-shkallë në shpate rreshpore të malit, të cilat janë më pak të rrëpirëta dhe formojnë edhe fushat e kullotave alpine të Korabit. Më e njohura ndër to është Fusha e Panaireve, në trajtë të një amfiteatri gjigant, që ndodhet në lartësinë 2.115m.
Lura është një krahinë turistike ku ndërthuren dukshëm bukuritë e liqeneve, malet e larta dhe livadhet e mëdha të mbushura me një shumëllojshmëri lulesh. Lura ofron kushte ideale për piknike e ngjitje sportive, ku mund të soditësh panorama mahnitëse që të ofron ky vend i mrekullueshëm dhe që e bën tepër interesant udhëtimin, pushimin dhe aktivitetet e tjera. Është zonë e pasur dhe me vlera unikale natyrore. Pozita e veçantë gjeografike që zë krahina me bukuritë e saj dhe mundësinë që jep për të hedhur vështrimin në shumë pjesë të vendit, ia rrisin më shumë rëndësinë turistike kësaj krahine. Gjate periudhës së dimrit Lura përveç pejsazhit natyror të mrekullueshëm, gjelbërimit të pishave i shtohet dhe bardhësia e dëborës, e cila në faqet e maleve dhe në livadhet e shumtë, krijon kushte të përshtatshme për të apasionuarit e sporteve të skisë. Në të gjithë muajt e vitit, pasuria e kësaj treve ka se ç’të ofrojë për të gjithë. Parku Kombëtar i Lurës me një sipërfaqe prej 1.280 ha, ndodhet në pjesën lindore të malit masiv të quajtur “Kunora e Lurës” ose siç quhet nga banorët e trevës, “Nezhda e Lurës”, 2.121m mbi nivelin e detit.
Liqenet e Lurës rreth parkut gjenden 7 liqene me origjinë akullnajore të cilët ndodhen në një lartësi deri në 1.720 m mbi nivelin e detit. Fushat alpine të Lurës janë livadhe të mëdha ku dominon gjelbërimi i barit natyral. Në periudhën e pranverës këto “fusha” mbulohen nga një llojshmëri lulesh dhe një harmoni ngjyrash. Shumica e luleve çelin në periudhën Maj-Qershor. Lulja e zojës, një nga lulet më të bukura në këtë zonë, rritet në pjesën lindore të Lurës. Ka një kurorë petalesh të bardha dhe në mes është me ngjyrë të verdhë. Zambaku i bardhë dhe zambaku shumëngjyrësh, këto lule rriten brënda në liqen dhe veçanërisht tek Liqeni i Luleve. Manushaqja, një lule që rritet në gjithë Shqipërinë, rritet edhe në zonën e Lurës. Ajo paralajmëron ardhjen e pranverës dhe përdoret si bimë medicinale.
Nga albatrip.com