FMN: Bojkoti dhe protestat rrisin pasigurinë e ekonomisë

329

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia shqiptare po i reziston pasigurive politike, por paralëjmëron se zgjatja e krizës do të kishte pasoja negative.

“Bojkoti i opozitës, protesta publike dhe deklaratat që ata bëjnë sigurisht që e rrisin shkallën e pasigurisë politike. Deri tani ekonomia është mbajtur mjaft mirë, por një krizë e gjatë politike, pra një pasigurie e vazhdueshme dhe në rritje politike, ndoshta do t’i nxisë bizneset dhe qytetarët të bëhen më të shtrënguar në vendimet që marrin për shpenzimet dhe investimet e tyre”, deklaron Jens Reinke, shef i FMN në Tiranë.

FMN vlerëson se ekonomia shqiptare ka prodhuar lajme pozitive, veçanërisht vitin e fundit. “Për momentin çdo gjë duket se është vënë në hije nga zhvillimet politike. Por dua të them se vitin e fundit ekonomia është zhvilluar mjaft mirë. Rritja ekonomike është shpejtuar, konsolidimi fiskal ka ecur sipas programit, reformat strukturore kanë qenë gjerësisht të suksesshme”, thotë Reinke për “T.CH”.

Por a është rritja ekonomike duke u ushqyer nga aktivitetet e jashtëligjshme, veçanërisht prodhimi i kanabisit? FMN përgjigjet për herë të parë.

“Ne nuk kemi numra por shumë vëzhgues bien dakord, që Shqipëria ka një ekonomi informale të madhe, e cila përbëhet nga disa aspekte. Një pjesë mund të jetë thjesht evazion tatimor, por sigurisht ashtu si në çdo vend tjetër ka edhe aktivitet të jashtëligjshëm dhe disa nga partnerët në komunitetin ndërkombëtar thonë se kjo është bërë më e theksuar. Unë nuk mund të them shumë për pjesën më të vërtetë të jashtëligjshme. Ne të gjithë i lexojme lajmet e gazetave rreth kanabisit, por ndoshta edhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme, por ato nuk përfshihen në startistikat ekonomike dhe ne nuk mund t’i promovojme ato”, shton Reinke.