Policia ka arrestuar tre zyrtarë të bashkisë Bulqizë, të akuzuar për lëshimin e vërtetimeve të origjinës në këmbim të pagesave monetare për marrjen e shtetësisë bullgare. Në pranga kanë rënë Luan Mjeshtri, administrator i njësisë administrative Ostren, vëllai i kryetares së bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, si dhe dy zyrtarë të tjerë: Fitim Balla, sekretar i Këshillit Bashkiak në bashkinë Bulqizë dhe Arlin Limani, specialist i Shërbimit Social në njësinë administrative Ostren.
Arrestimet janë bërë pas publikimit të disa video-përgjimeve të një qytetari në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel. Vërtetimet e origjinës të falsifikuara u morën duke dorëzuar fotokopje të certifikatave të banorëve nga Njësia Administrative Trebisht dhe Stërblevë e Librazhdit. Këto vërtetime shiteshin për 90 apo 100 mijë lekë (të vjetra) dhe përdoren për t’u pajisur me pasaportë bullgare.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, thuhet se ky rast ka qenë nën hetimin e strukturave të tyre. “Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se punonjës të njësisë administrative Ostren dhe të bashkisë Bulqizë falsifikonin dokumente me qëllim pajisjen e qytetarëve me vërtetime, në kundërshtim me ligjin. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër më datë 12.10.2023, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile, për të pajisur qytetarë të ndryshëm me vërtetime se ata banonin në njësinë administrative Ostren. Kjo është bërë me qëllim regjistrimin e tyre në shoqatën “Golloborda” dhe përfitimin e pasaportave bullgare.
Deri në publikimin e këtij lajmi, kryetarja e bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, ka heshtur, pa bërë asnjë reagim publik lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve të bashkisë, përfshirë edhe vëllain e saj, Luan Mjeshtri.
Bullgaria, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian që prej vitit 2007, është bërë burim shprese për qindra banorë të zonës së Gollobordës – Ostren, Trebisht, të cilët sot janë pjesë e bashkisë Bulqizë dhe Stërblevë, pjesë e bashkisë Librazhd. Ata kanë emigruar masivisht si shtetas të Evropës, duke u pajisur me pasaporta bullgare nëpërmjet kësaj skeme të paligjshme. Disa vite më parë, Prokuroria në Bullgari kishte nisur një hetim për grupe kriminale të organizuara, të cilat merrnin ryshfete, falsifikonin dokumentacion dhe shpërdoronin detyrën për të fituar shtetësi bullgare.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për hetime të mëtejshme me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.