Etnia në letërnjoftime nxit ndarje apo avancon pozitën e shqiptarëve?

421
Flamuri i Maqedonisë së Veriut.

Propozim-ligji për vendosjen e etnisë në letërnjoftime, ka nxitur polemika të shumta në opinion nëse një zgjidhje e tillë shihet si avancim për statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut apo si shkas për tensione të reja, përfshirë edhe mundësinë e paraqitjes së diskriminimit.

Propozim-ligji i Lëvizjes Besa, i mbështetur nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev dhe partitë tjera shqiptare, kundërshtohet nga VMRO-DPMNE-ja, e cila kërkon përfshirjen edhe të etnisë maqedonase dhe nga partia tjetër opozitare “E Majta”, e cila e vlerëson këtë ligj si nxitës të tensioneve ndëretnike, ndërsa për pengimin e tij ka dorëzuar mbi 1,200 amendamente.

Kastriot Rexhepi, deputet i Lëvizjes Besa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se propozimi jo që është nxitës, por përkundrazi, synon relaksimin e mëtejmë të raporteve ndëretnike.

“Gjatë ndryshimeve kushtetuese që janë bërë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës, një nga kërkesat tona ishte që në letërnjoftime të vendoset edhe përkatësia etnike, që popujt të cilët jetojnë në Maqedoni të Veriut të shprehin edhe përkatësinë etnike në letërnjoftime. Nuk ka ndonjë qëllim tjetër, por e shohim si një mundësi plus që mund të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike”, thotë Rexhepi.

Rexhepi po ashtu mohon pretendimet se propozimi mund të nxisë diskriminim gjatë punësimit apo realizimit të të drejtave tjera të qytetarëve, meqë sipas tij edhe me dispozitat ligjore që janë në fuqi, qytetarët gjatë aplikimit deklarojnë përkatësinë etnike, për të ruajtur të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Por, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe deputet i Lidhjes Demokratike, që është në koalicion me shumicën parlamentare, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozim për vendosjen e etnisë në letërnjoftime nuk nënkupton avancim të pozitës së shqiptarëve, pasi të drejtat e qytetarëve, sipas tij, janë të përcaktuara në Kushtetutë.

“Unë thjesht jam ithtar i forcimit të konceptit qytetar të shtetit, për forcimin e të drejtave individuale të shtetasve. Të drejtat kolektive janë shumë qartë të përcaktuara në Kushtetutë dhe ligjet tjera dhe askënd nuk e pengon që të deklarohet se si ndjehet, por cila është arsyeja që në dokumente personalet të definohet edhe përkatësia etnike? Ne nuk kemi nevojë për polarizime, pasi rreziqet për këtë ekzistojnë, meqë mund të ketë persona që nuk duan të shënohet përkatësia etnike në letërnjoftime. Është një veprim i panevojshëm, por besoj se nuk ka asgjë të keqe që të ketë debat të gjerë për këtë temë”, thotë Pavle Trajanov.

I të njëjtit mendim është edhe Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se vendosja e etnisë në letërnjoftime mund të shërbejë si burim diskriminimi për qytetarët gjatë marrjes së shërbimeve në institucione të ndryshme.

“Qëllimi i çdo shteti modern është që të krijojë kombin politik, pjesë e të cilit do të jetë çdo qytetar pa marrë parasysh përkatësinë etnike, religjioze, gjinore e kështu me radhë. Në një vend shumetnik, siç është Maqedonia e Veriut, theksimi i dallimeve mund të jetë edhe burim i diskriminimit në raportin shtet-qytetar. Pra, me faktin se çdonjërit që do t’i shënohet përkatësia etnike, në fakt do të krijojë situata apo të nxisë diskriminime gjatë marrjes shërbimeve nga administrata shtetërore”, thotë Neziri.

Ai vlerëson se vendosja etnisë në letërnjoftime nuk zgjidh as problemin me punësimet, ku gjatë aplikimit për vende pune, kryesisht në administratë, ndodh që maqedonasit të deklarohen si shqiptarë për të konkurruar për vende pune, pas çka edhe zënë vendet e garantuara për bashkësitë etnike jomaqedonase.

Neziri konsideron se ky fenomen mund të zgjidhet në mënyra të ndryshme, përmes evidencave tjera për të dëshmuar përkatësinë etnike të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut.