*Nga Fehmi Tançi
Për tre muaj rresht kryerilindasi me të gjithë artoparlantët e tij, nuk kish lënë epitet fyes dhe denigrues pa i vënë PD-së dhe Bashës:
“…po vetë shkrihet PD-ja,…e ka mbyllut ciklin,…kanë frikë nga vetingu dhe përballja elektorale,…do të zhduken si dinozaurët,…Shqipëria do të ketë opozitë më të mirë nesër dhe do të shpëtojë nga kjo opozitë destruktive,…PD-ja është zhdukur në drejtim të paditur,…zgjedhjet vetëm me 18 Qershor,…”, etj., etj. epitete dhe kërcënime të llojeve nga më të ndryshmet.
Duke u gjendur përballë një “braktisje” “ndërkombëtare”, pasi koha shpresoj do të tregojë që këta zëra ndërkombëtar duke u gjenduar edhe vetë BE dhe SHBA në momente krize të fortë të egzistencës së tyre dhe një tranzicioni të gjatë pushtetesh dhe njerëzish në Amerikë, nuk ishin qëndrime të mirëfillta të institucioneve të tyre, vetë PD-ja, opozita në tërësi dhe Basha në veçanti, sikur u përplasën me një faqe mali si Everest, ku “po thyenin kokat e tyre” dhe nuk kishin rrugëdalje.
Sido që ndërkombëtaret nuk e konceptojnë dot bojkotimin e institucioneve, dhe të zgjedhjeve madje, edhe pse vetë opozita kurrë nuk u shpreh për bojkotim të tyre, dhe sado i rëndë dhe i patoleruar të ishte qëndrimi “radikal” i opozitës, nuk ishte dëgjuar deri në vitin 2017 që një institucion ndërkombëtar, i çfarëdo lloj niveli qoftë ai, që të mbajë një qëndrim kaq të dhunshëm dhe ndëshkues ndaj opozitës së një vendi dhe demokracisë në tërësi.
Të shpallësh një opozitë si “delen e zezë” të një mosmarreveshje me pushtetin, sado për gjëra elementare të jetë kjo mosmarreveshje, dhe të mos shikosh fare si pjesë të problemit pushtetin, kjo nuk ishte parë dhe dëgjuar!
Për më tepër që bëhet fjalë për një mazhorancë që në katër vite kriminalizoi politikën dhe institucionet, kanabizoi territorin e vendit në 100% të siperfaqes, zhvilloi një korrupsion galopant në vjedhjen e fondeve publike, ndërtoi një pushtet të dhunshëm ndaj qytetarit të thjeshtë duke vrarë përfundimisht shpresën se në atë vend mund të jetohet, etj., etj.
Megjithëse standartet e dyfishta të perëndimorëve me né kanë nisur herët në këto 27 vite.
P.sh. të gjithë e kujtojmë se në çfarë kushtesh u mbajtën zgjedhjet e vitit të mbrapshtë 1997 dhe një nga frazat kryesore në raportin e OSBE-ODHIR ishte: “…zgjedhje të pranueshme për momentin…”. Dhe sa ishte ky “momenti” i këtyre zotërive perëndimorë? Një muaj, dy, gjashtë, apo një vit? Jo, ky “momenti” ishte katër vite, aq sa zgjat çdo mandat zgjedhor.
Ky lloj qëndrimi ekstrem i ndërkombëtareve besoj se ka qenë shokues për çdo njeri që qëndroi 89 ditë në çadër dhe për çdo opozitar të pushtetit në Shqipëri, apo gjetkë nëpër botë.
Kjo lloj opozite dhe qëndrese që Basha dhe opozita zgjodhi me protestat kryesisht në çadër, besoj se do të marrë emrin si një LËVIZJE GANDISTE.
Kjo sidomos po të kemi parasysh se çfarë “bunkeri” kishte përballë, për të shpresuar ndonjë sukses të lëvizjes jetike për VOTËN E LIRË.
Qëndrimi i pazakontë “ndërkombëtar” ndaj opozitës, e bënë këtë “bunkerin Rama” edhe më të dhunshëm dhe të pashpirtë seç është, një “buldozer” të vërtetë ndaj opozitës.
Por ja që vjen një moment që e drejta triumfon.
Rasti kur deri në mbasdite (17 Maj 2027) ke vazhduar të sulmosh me epitetet që i kemi vendosur në fillim të shkrimit opozitën, me shpresën se ja ke mbyllur të gjitha shtigjet për t’u futur në zgjedhje dhe asgjësimi më në fund është i kryer, dhe në darkë të vish pas krahëve të kryetarit të opozitës dhe duke e kapur nga krahu i “raporton” se “…ERDHA UNË…” do të mbahet mend gjatë.
Që politikës shqipëtare mund ti vesh çdo lloj epiteti dhe ti shkojë, kjo nuk është lajm.
Por meqë vetë Rama na e krahasoi me një lojë shahu, dhe veten e tij si një shahist i vertetë, kjo e mbrëmshmja(17 Maj) “…ERDHA UNË…” ishte SHAH MAT për Ramën.
Nëse ka një amatorizëm më të madh se kaq, kushdo le ta thotë?
Të dërgosh vendin me koshiencë të plotë deri në një përplasje civile dhe në fund të dorëzohesh pa kushte, kjo nuk është politikë, apo sjellje e një politikani, qoftë ky edhe i një zone nga zonat me të thella rurale të vendit, po të doni.
Kot nuk është ajo thënja:
“Mos i hap gropën tjetrit se bie vetë brenda”.
Me këtë “fitore” të opozitës duhet të jesh naiv të thuash apo besosh se zgjedhjet do të jenë të ndershme, por gjithësesi kjo ishte një provë se me pushtete të tilla jo demokratike, të kriminalizuar, kanabizuar dhe të majmur ekstremisht nga vjedhja e fondeve publike, asnjë betejë pa qëndresë demokratike nuk fitohet.
Për mua REVOLUCIONI do të ishte më i efektshëm.
Madje po të kishte ndodhur që në lëvizjen e Dhjetorit ’90, apo në 20 Shkurt 1991 nuk do të kishim këtë Shqipëri që kemi dhe tranzicioni nuk do të ishte kaq i gjatë dhe i dhimbshëm për shqipëtarët.