Emigrantët gjallërojnë jetën në Dibër të Madhe

881
Kampionati i tenisit organizuar nga Komuna e Dibrës, RMV.

Prezenca e një numri të madh të mërgimtarëve në Dibër dhe rajon dukshëm ka ndryshuar jetën dhe dinamikën në qytetin e Dibrës. Përveç numrit të madh të dasmave, kafeteritë dhe restorantet përplot, ka edhe një frekuencë të madhe në shëtitoren e qytetit. Duke filluar nga ora 22 e deri në ora 3 ose 4 të mëngjesit, shëtitorja është përplot me njerëz, pothuajse të të gjitha gjeneratave. Shkurt thënë – Dibra nuk fle as këtë verë. Në këtë ndikojnë temperaturat shumë të larta gjatë ditës, si dhe nevoja shpirtërore e mërgimtarëve që të çmallen me njerëzit e tyre edhe duke shëtitur.

Me të drejtë shumë dibran thonë se Dibra u bë qytet sezonal. Ajo mbushet gjatë sezonit veror, por në momentin kur mërgimtarët largohen nga vendlindja, dhe vazhdojnë jetën në vendlindjet e tyre të dyta, qyteti zbrazet. Por, duke filluar nga muaji qershor e deri në fund të gushtit, qyteti i Dibrës është përplot me mërgimtarë. Sidomos këto ditë bie në sy jeta e natës në Dibër. Pothuajse çdo natë mesatarisht ka nga 10 dasma. Ata bëhen nëpër shtëpi, si dhe nëpër restorante. Muzika është një element tjetër i jetës verore. Sidomos janë shumë atraktive momentet kur dasma përfundon në restorant dhe dasmorët me dhëndrin dhe nusen u kthehen shtëpive duke kaluar nëpër rrugët kryesore të Dibrës së bashku me muzikantët. Një dinamik tjetër është prezente në kafeteri, sidomos në rrugën qendrore “8 shtatori”. Pronarët e lokaleve rregullisht sigurojnë këngëtarë dhe grupe të njohura dhe të rinjtë, të cilët janë të shumtë në këto muaj, zbaviten deri në orët e vona. Por njëkohësisht vërejnë se çmimet e pijeve janë rritur pa masë.

Liqeni i Dibrës

Në orët e vona të natës takojmë Anisën, e cila ka ardhur nga SHBA-të së bashku me dy vajzat e saj. Atë e takojmë së bashku me kunatën e saj që jeton në Dibër. “Edhe pse është ora 2 pas mesnate, kemi dal të shëtisim dhe të freskohemi, pasi natën temperaturat janë më të ulëta. Gjithashtu po çmallemi me Dibrën tonë. Kemi shumë mallëngjime për vendlindjen, të cilën e kam braktisur para më shumë se 20 vitesh. Gëzohem kur shoh shumë të njohur në Dibër gjatë shëtitjes së natës”, thotë Anisa 52-vjeçare. Po në shëtitoren takojmë edhe një grup të rinjsh. Lusim të na japin një deklaratë dhe Amiri së bashku me Valonin bien dakord të flasin për gazetën KOHA. Amiri dhe Valoni janë kushërinj të parë dhe njëri jeton në Dibër e tjetri në Zvicër. Ata thonë se kur vijnë në Dibër është më shumë se kënaqësi. “Dibra ka një klimë shumë të mirë, sidomos gjatë natës freskia mahnit. Tani ka disa ditë që dalim së bashku me të afërmit tanë, por edhe shokët e gjeneratës”, tregon Valoni që jeton në Zvicër.

Kështu është Dibra gjatë verës, por jo edhe gjatë stinëve të tjera. Pamjes të këtillë i gëzohen të gjithë, meqë vendlindja është vendlindje, thonë mërgimtarët. Kuptohet shumë të kënaqur janë edhe banorët të Dibrës, të cilët me padurim presin të afërmit e tyre.