Editorial – Për rrugën e lënë rrugëve

2554
Segmenti rrugor nga qafa e Buallit deri në urën e Vashës, Klos - pjesë e rrugës së Arbërit. Foto: Bulqizaime.al

Në fund të mandatit të dytë, qeveria Berisha thuajse përfundoi së hapuri trasenë e një pjese të rrugës së Arbërit – konkretisht nga qafa e Buallit në Bulqizë deri në afërsi të urës së Vashës, Klos.

Ky segment është afro 10 km, nëse do të ishte funksional do të shkurtonte me afro 20 minuta kohën e udhëtimit nga Dibra dhe Bulqiza për në drejtim të Tiranës, por gjithashtu do të shmangte një segment rrugor me shumë kthesa, të dëmtuar dhe shumë të rrezikshëm për drejtuesit e automjeteve.

Në vitin 2018-të do të niste puna nga qeveria Rama “për të bërë realitet një ëndërr shekullore” të dibranëve, për të përfunduar rrugën e Arbërit. Pavarësisht se përfundoi së ndërtuari ura e Vashës, ky segment rrugor u la totalisht jashtë investimit, ku në fakt ishte një pjesë rruge që do ti merrte kompanisë kontraktore “Gjoka 87” vetëm disa muaj punë për ta përfunduar dhe për ta vënë në përdorim të banorëve.

Sot një pjesë e rrugës është kthyer në gurore nga kompania dhe as që duket se do të ketë ndërhyrje për të përfunduar këtë segment. Qeveria shqiptare kishte vendosur që prej 20 tetorit të vitit 2020 për zgjatjen e kontratës së ndërtimit të rrugës së Arbërit, pasi në tunelin e qafës së Murrizit “kishin plasur ujërat”. Rruga sipas kontratës fillestare do të duhej të kishte përfunduar që në pranverën e vitit 2022. Zgjatja e afatit e çon përfundimin e rrugës së Arbërit deri në nëntor 2023 – gjithmonë nëse në tunelin e Murrizit nuk plasin sërish ujërat.

Tuneli i qafë Murrizit me gjatësi prej afro 3.8 km – për 1 kilometër do të kushtojë 38.1 milionë euro, duke u bërë kështu tuneli më i shtrenjtë i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Kostoja totale e ndërtimit të tunelit do të jetë afro 145 milionë euro. Për 13 vjet të kontratës koncesionare të rrugës së Arbërit, duke paguar një interes në vlerën e 40 milionë euro, investimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” bashkë me problemet në tunelin e Murrizit – shteti do të paguaj në fund afro 348 milionë euro.

Por ajo që mbetet e paqartë është se çfarë e pengon kompaninë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që punimet në segmentin rrugor nga qafa e Buallit deri në urën e Vashës, Klos të kishin përfunduar me kohë, në trasenë e një rruge thuajse të përfunduar!?

Të mos flasim për cilësinë e punimeve deri më sot në ato segmente të konsideruara të përfunduara, që janë skandaloze. Fundosje të rrugës, dëmtim të asfaltit ku kompania i ka mbyllur gropat me beton. Miliona euro për një rrugë katastrofë. Një bajpas që është shumë i rrezikshëm. Nga nëntori i vitit 2021 deri më sot, janë me dhjetra makina që janë djegur si pasojë e terrenit shumë të vështirë – gjithashtu edhe shumë aksidente.

Në të tillë kushte duhet që të paktën simbolikisht të organizohej një protestë për rrugën e lënë rrugëve.