EDITORIAL/ Mjer ne ku jetojmë, e mjer ne kush na qeveris në pushtetin vendor

1489
Pamje e shkëputur nga emisioni Stop në TV Klan.

Duhet të dalësh në TV që diçka të quhet fakt dhe të shikohet abuzimi me paranë publike, taksat tona.

Kemi kohë që vazhdimisht publikojmë vlerat e tenderave që Bashkia Bulqizë prokuron, vlera të mëdha në një bashki të vogël. Kemi denoncuar me kohë abuzimet dhe cilësinë shumë të dobët të punimeve që po bëhen në Bulqizë, edhe pse vlerat e tenderave janë shumë të larta.

Prokuroria e Posaçme, SPAK dhe BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit, do të duhej të kishin “zbarkuar” me kohë në bashkinë e Bulqizës, për të vënë para përgjegjësisë personat që kanë abuzuar rëndë me detyrën. Paçka se janë në dijeni, përballë këtyre abuzimeve kanë mbyllur sytë dhe veshët – çka ka sjellë që i pari në Bashkinë Bulqizë, Lefter Alla, t’ia hedh valles prej kohësh, pa as edhe më të voglin shqetësim.

Mos devijojmë nga thelbi: Sonte (e enjte, 29 shtator 2022) emisioni Stop në Tv Klan, transmetoi shqetësimin e banorëve të Lagjes së Re në Bulqizë, për punimet jashtë çdo standardi dhe jo në përputhje me projektin të ujësjellësit. Në video do të shikoni një situatë komike – Lefter Alla, kryetari i Bashkisë Bulqizë është larguar nga zyra. Drejtuesi i Ujësjellës Kanalizime Bulqizë, Halil Jakimi edhe ai ka ikur nga zyra pasi ndodhet në Tiranë. Zyra e Urbanistikës është “zhdukur” nga godina.

Kanë përfunduar në atë batak sa nxjerrin “kalamajt” e administratës, me gjysëm zëri të thonë se ‘ne nuk dimë gjë’. Siç me të drejtë nuk dinë gjë sepse janë rrogëtarë për bukën e gojës, shantazhohen dhe kërcënohen çdo ditë – në disa forma.

Alla nuk ka guxim të thotë se çfarë po bëhet me ndërtimin e ujësjellësit në Lagjen e Re.

Po sjellim disa fakte që nuk u thanë në emisionin “Stop”. Punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi kanë nisur që prej vitit 2020, ndarë në dy faza. Tenderi u fitua nga kompania “Curri sh.p.k” me një vlerë në total prej 523,052,504 lekë (të reja me tvsh) ose për të qenë më të qartë, janë afro 4.4 milionë euro. Vetëm studimi dhe projektimi për ujësjellësin do të kushtonte 9,588,000 lekë (të reja me tvsh) ose 80 mijë euro.Punimet po ecin shumë ngadalë dhe aspak cilësore.

Siç do e gjeni në video, tubacionet janë lënë në sipërfaqe – ku dihet mirë se çfarë temperaturash ka zona e Bulqizës gjatë dimrit, me disa gradë nën zero. Edhe pse vetëm 1.5 km larg nga godina e Bashkisë Bulqizë, këta të fundit nuk kanë parë asgjë se çfarë ndodh. Presin që banorët të ngelin pa ujë në dimër, që të shikojnë se në kohën kur duhej të reagonin si detyrim ligjor për mbikqyrjen e punimeve, nuk kanë reaguar.

Drejtuesit ikin, njerëzit në këtë qytet mbeten.

Opozita lokale përballë kësaj masakre që po bëhet në Bulqizë, hesht – më saktë është zhdukur me kohë.

SPAK, reago!
BKH, shiko!