E vërteta e mbytjes së anijes “Mati” në bregdetin e Kostancës

412

Kanë kaluar 38 vjet nga mbytja e anijes avullore “Mati” në brigjet e Kostancës në Rumani. Mbytja e anijes 3500 tonëshe ka qenë ndër të paktat incidente të flotës tregtare shqiptare në ato vite. Gjithsesi, siç ka dëshmuar pas ngjarjes kapiteni i anijes Adem Jaupi, mbytja e anijes mund të shmangej nëse do të ishte dhënë ndihma e kërkuar nga autoritetet e portit të Kostancës në tetorin e vitit 1976.

Shumë vite pas kësaj ngjarjeje, disa nga pjesëtarët e ekuipazhit nuk jetojnë më. Nuk jeton as kapiteni i anijes “Mati”, Adem Jaupi, i cili u nda nga jeta nëntë vjet më parë.

Djali i tij, Luan Jaupi, ka vënë në dispozicion materiale të reja për këtë ngjarje, ndërkohë që ai ruan me fanatizëm të gjitha dorëshkrimet e të atit në lidhje me rastin e anijes në fjalë dhe për ngjarje të tjera. Luan Jaupi ka në arkivat e të atit edhe raportin që është mbajtur fill pas ngjarjes nga kapiteni Adem Jaupi, i cili titullohet “Raport avarie i përgjithshëm” dhe mban datën 02.11.1976, plot 15 ditë pas mbytjes së anijes.

Në raportin e hartuar në 7 faqe format, kapiteni Adem Jaupi thekson se nëse ndihma e kërkuar nga autoritetet rumune të portit do të jepej në kohën e kërkuar, anija do të shpëtohej dhe ekuipazhi nuk do të ishte rrezikuar, ashtu siç ndodhi në ndërrimin e netëve të 18 dhe 19 tetorit 1976.