E drejta për tubim, Gjykata e Dibrës rrëzon referimet e policisë ndaj një protestuesi

1056
Protesta e zhvilluar në Bulqizë.

Gjykata e Dibrës pranoi kërkesën e Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal për një protestues të kallëzuar nga Komisariati i Policisë Bulqizë, gjatë protestave kundër rritjes së çmimeve të zhvilluara në mars të vitit 2022. Në vendim, gjykatësi Ardit Kuka, arsyeton se e drejta për tubim, sa kohë nuk përbën cënim për sigurinë publike e të ngjashme nuk mund të kufizohet.

“Në rastin, konkret me të drejtë organi i prokurorisë ka kërkuar pushimin e procedimit penal, pasi nuk plotësohen elementet e figurës së veprës penale të “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal. Personi nën hetim K.Z dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë ushtruar të drejtën kushtetuese për të zhvilluar tubime paqësore për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të diktuara nga rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Ukrainë, si një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Ata kanë njoftuar paraprakisht autoritetet policore për organizimin e tubimit tek vendi i quajtur “Mbikalimi i Rrugës së Arbërit”, në segmentin rrugor pranë qytetit të Bulqizës, pasi kanë njoftuar më parë autoritetet policore për këtë ngjarje”, arsyetohet në vendimin e Gjykatës së Dibrës.

Procedimi penal ishte regjistruar për veprat penale të “Mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik dhe “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 242 dhe 293-25 të Kodit Penal. Disa muaj më parë, Prokuroria e Dibrës vendosi gjithashtu mosfillim të procedimit penal edhe për 12 protestues që u ndoqën penalisht nga Policia e Shtetit pas protestës së fillim marsit në Bulqizë, kundër rritjes së çmimeve. Prokuroria arsyetonte se tubimet mund të kufizohet vetëm në rrethana të cënimit të sigurisë publike e të ngjashme.

Në vendimin e gjykatës thuhet se kur Policia e Shtetit është e njoftuar, ka mundësinë të marrë masa për të lehtësuar tubimin, por edhe për të njoftuar paraprakisht qytetarët për kufizimin e lëvizjes në sheshe dhe vendkalime publike për shkak të tubimit. “Gjykata vlerëson se mungon elementi i anës subjektive të figurës së veprës penale të “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, e cila kryhet me dashje. Qëllimi i personit nën hetim dhe protestuesve të tjerë nuk ka qenë bllokimi i rrugëve për mjetet e transportit apo përdoruesve të tjerë të rrugës, por për të shprehur pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve. Mungesa e qëllimit për pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor provohet edhe nga fakti se aksi rrugor është penguar për një kohë të shkurtër 10-15 min, sipas deklarimeve të punonjësve të policisë, ndërkohë që protesta ka vijuar përreth një orë.” thuhet në vendim.

Por ndërsa prokuroria dhe gjykata nuk kishin gjetur shkelje në sjelljen e protestuesve, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër kishte ndëshkuar me masa administrative gjobë edhe 18 persona të cilët kanë marrë pjesë në protestë me makinat e tyre. Sipas DVP Dibër, të ndëshkuarit kishin bllokuar qarkullimin duke ndaluar makinat në rrugë. Një sjellje e tillë me gjoba pa arsye u komentua si një përpjekje për të përcjellë frikë që mos të ketë më tubime të tjera në të ardhmen.

Edhe akuzën për mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik gjykata e konsideron të pa bazuar në fakte, pasi veprimet e protestuesit janë kryer në kuadër të protestës së zhvilluar, ku ai ka marrë pjesë së bashku me disa persona të tjerë të paidentifikuar. “Ka vepruar në ushtrim të së drejtës së tij për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore, e drejtë e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës dhe Ligji nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, thuhet në vendim.

Gjatë protestave të muajit mars 2022 për kundërshtimin e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, u ndaluan nga policia qindra protestues në mbarë vendin. Avokati i Popullit dhe disa organizata të shoqërisë civile i cilësuan shqetësuese dhe në disa raste në tejkalim të kompetencave për arrestimin e protestuesve paqësor. Ndalimet u denoncuan nga aktivistët si përpjekje për të dekurajuar protestën dhe dënuan si shqetësuese përdorimin e policëve civilë për të ndaluar protestues.