Dosja e helmimit të 60 nxënësve fle prej tre vitesh në sirtarët e Prokurorisë

Montimi i gabuar i një kaldaje u rrezikoi jetën rreth 60 gjimnazistëve në fshatin Shupenzë të Bulqizës, por Prokuroria e Dibrës nuk ka ende një përgjigje dhe justifikohet me ngarkesën në punë për zvarritjen e hetimeve.

1158
Gjimnazi “Rifat Manjani”, Shupenzë

Martin Cami e mban mend mirë 17 nëntorin 2017. Ai sapo kishte filluar vitin e fundit të gjimnazit dhe shkoi në shkollë si çdo mëngjes, por pa mbaruar ora e parë e mësimit, ai dhe shokët kishin vështirësi në frymëmarrje.

“Ajri sa vinte  e rëndohej më tepër. Pa mbaruar mirë ora e mësimit, të  gjithë kërkuam të dalim jashtë, pasi nuk ndjeheshim mirë,” kujton ish-nxënësi i gjimnazit “Rifat Manjani” në fshatin Shupenzë të Bulqizës.

Kur dolën jashtë, Martini dhe shokët e shoqet e klasës filluan të binin në tokë pa frymë. Ish-gjimnazisti e përshkruan skenën të frikshme, me prindërit që mbërritën me nxitim në dyert e shkollës në kërkim të fëmijëve dhe sirenat buçitëse të ambulancave.

Rreth 60 nxënës u helmuan atë ditë, kryesisht në klasën ngjitur me kaldajën dhe në klasën e pozicionuar mbi të. Nxënësit u shtruan në spitalet e Bulqizës, Peshkopisë dhe tre prej tyre në gjendje të rëndë u nisën drejt Tiranës. Fatmirësisht nuk pati viktima.

Institutit të Shëndetit Publik, ISHP dhe Policia, fajësuan asokohe keqfunksionimin e kaldajës së sapoinstaluar në shkollë, por gati tre vjet pas ngjarjes, Prokuroria e Dibrës nuk i ka përfunduar dot hetimet dhe procedimi penal i regjistruar mbetet pa autorë.

I pyetur nga BIRN, prokurori i çështjes, njëkohësisht drejtues i Prokurorisë së Dibrës, Rifat Kojku tha se vonesa në hetimin e ngjarjes vinte si shkak i ngarkesës.

Helmimi i 60 nxënësve

Gjimnazi i Shupenzës u bë me kaldajë në verë të vitit 2017, pas përfundimit të një rikonstruksioni me vlerë 72.6 milionë lekë. Sipas një raporti të përgatitur për ngjarjen nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, kaldaja e shkollës ishte vendosur në punë në orën 6 të mëngjesit të 17 nëntorit.

Në orën 8.30, kur në shkollë kishte filluar mësimi, kaldaja ishte fikur pasi prej saj dilte tym. Gati një orë pas fikjes së kaldajës, nxënësit e dy klasave ngjitur me të filluan të shfaqnin probleme me frymëmarrjen.

Gjimnazistët që përfunduan në spital shfaqën simptoma të marramendjes, të vjella dhe shenja të tjera të ngjashme me helmimin.

Sipas ISHP-së, niveli i monoksidit të karbonit i matur në klasa pas ngjarjes ishte tre herë më i lartë se norma e lejuar.  ISHP në raport bën me dije se kaldaja ishte instaluar me gabime dhe ishte jashtë kushteve teknike, ndërsa kërkoi një oxhak të ri që duhej të ishte 7 metra mbi godinë, një dalje të jashtme të kaldajës dhe një sistem alarmi për të.

Në një investigim të dhjetorit 2017, BIRN gjeti se kaldaja ishte instaluar nga një kompani pa eksperiencë në atë proces, në një tender që ngjallte dyshime për konflikt interesi. Tenderi ishte fituar nga kompania Ndregjoni sh.p.k, por kjo e fundit kishte kontraktuar kompaninë “B Alla 76” për punimet.

Kompania ishte në pronësi nipave të kryebashkiakut të kohës, Melaim Damzi dhe vëllezërve të kryetarit të Partisë Socialiste -aktualisht kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. Si Damzi ashtu edhe Alla i mohuan atëherë akuzat për ndikim në tenderim.

Alla megjithatë pranoi në një bisedë për BIRN në dhjetor 2017 mungesën e eksperiencës. “Panë që dilte tym, por menduan se ishte si tymi i sobës dhe se do largohej vetë,” tha ai duke iu referuar problemeve që kaldaja kishte shfaqur pas vënies në punë.

Zvarritja e hetimeve

Gjimnazistet e shkollës “Rifat Manjani” gjatë trajtimit në spital pas helmimit në shkollë më 17 nëntor 2017. Foto arkivë: Hysen Likdisha.

Menjëherë pas ngjarjes, Prokuroria e Dibrës njoftoi fillimin e hetimeve për zbardhjen e përgjegjësive në instalimin e gabuar të kaldajës, që rrezikoi jetën e 60 nxënësve.  Por 31 muaj më vonë, Prokuroria i tha BIRN se prokurori i çështjes ende nuk ka dalë me vendim për çështjen.

“Për shkak të ngarkesës së madhe në punë, prokurori nuk ka dalë me një vendim në lidhje me këtë çështje penale,” thuhet në përgjigjen që BIRN mori më 25 maj, pas një ankese te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Në përgjigje të kërkesës për informacion, Prokuroria tha se kishte kryer “pothuajse të gjitha veprimet e mundshme hetimore”. Megjithatë, Prokuroria shtoi se çështja penale ende nuk kishte të akuzuar të regjistruar dhe se ajo që ndodhi në gjimnaz  po hetohej si “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë, të parashikuara nga neni 289/1 i kodit penal pa autor”.

Ky nen parashikon një hapësirë mjaft të gjerë dënimesh që shkojnë nga gjobë deri në 10 vjet burg, por akuza ende nuk ka emra përgjegjësish.

Prokuroria po ashtu bëri me dije se dosja ishte “shumë voluminoze” dhe se më shumë detaje rreth çështjes dhe mënyrës së përfundimit të saj do bëheshin publike së shpejti, por sërish pa caktuar një afat dhe pa bërë të qartë nëse dosja do të shkonte në gjykatë.

Vonesat në hetimin e çështjeve në prokurorinë e Dibrës u vunë në dukje edhe pas një kërkese nga Prokurori i Përgjithshëm për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që kërkoi hetim për shkeljet proceduriale në këtë prokurori.

Kryeprokurori Olsian Çela i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, që të inspektonte punën e prokuroreve Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj si dhe të verifikonte punën e kryer nga drejtuesi i Prokurorisë së Dibrës, Rifat Kojku për të parandaluar situatën e krijuar në zvarritjen e proceseve hetimore.

Sipas Çelës, prokurorët kanë bërë “veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale”.

Mimoza Koçiu, Këshilltare për Mediat e ILD-së i tha BIRN se kërkesa e kryeprokurorit Çela ishte në proces shqyrtimi. E pyetur për dosjen në fjalë, Koçiu tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk u ishte referuar rasteve konkrete dhe se ndaj Kojkut kërkesa ishte për të verifikuar menaxhimin e prokurorisë.

Ndërsa për Prokurorinë është ende e paqartë se kush është përgjegjës, nxënësit e shkollës “Rifat Manjani” të Shupenzës e kanë të vështirë që ta harrojnë ditën e helmimeve.

Njëri prej tyre është edhe Martin Cami, tashmë 22 vjeç, ndonëse jeton prej dy vitesh në Itali.

“Kur jam në Shupenzë, sa herë shikoj nga shkolla më kujtohet ajo ditë si një kujtim mjaft i hidhur,” përfundoi ai.