“Dosja 184”, pas serisë së shtyrjeve nis gjykimi ndaj Robert Agës dhe Hasan Hotit

1301
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Pas shtyrjeve të vazhdueshme, këtë të mërkurë, nisi gjykimi i njërit prej proceseve të “Dosjes 184” për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër.

Në seancën e parë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga dhe Hasan Hotit, ish-Administrator i Lurës – prokurori i çështjes, Urim Buci prezantoi gjetjet kryesore të dosjes, dëshmitë dhe zbardhjen e një pjesë të përgjimeve për blerje të votës. Buci u mëshoi kërcënimit të administratës publike dhe votuesve për të mbështetur kandidatin e PS në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Dibër në vitin 2016-të.

Gjithashtu ai përmendi disa raste shantazhesh për të filmuar votën e tyre, si dhe pasojat për ata që refuzonin deri në heqje nga lista e ndihmës ekonomike.

Në seancën e së mërkurës ishte i pranishëm Robert Aga, ish-shefi i komisariatit Dibër, i akuzuar nga prokuroria, me akuzën për “shpërdorim detyre” dhe Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës akuzuar edhe ai për “shpërdorim detyre”.

Të pandehurit u përfaqësuan nga avokati, Gentjan Rumano i cili pas fjalës së prokurorit kërkoi më shumë kohë për të paraqitur argumentet e mbrojtjes. “Pasi dëgjova pretendimet e prokurorisë mbi kërkesën për gjykim që ka paraqitur para gjykatës, unë kërkoj një afat të shkurtër kohor që të konsultohem me të dy klientët mbi provat e mundshme që ne kemi për ti paraqitur në gjykatë.” tha ai.

Gjyqtarja Nertila Kape, vendosi pranimin e kërkesës së avokatit të  pandehurve për t’ju dhënë më shumë kohë për të sjellë argumentet në gjykatë. “Gjykata pasi mori edhe mendimin e prokurorit e shikon si të bazuar në ligj.” tha Kape, në lidhje me kërkesën e avokatit.

Seanca e radhës për dy të akuzuarit e Dosjes 184 është vendosur më 17 nëntor në orën 13:10.

Dosja 184 u bë fillimisht publike në janar 2019, falë një investigimi të BIRN mbi përfshirjen e krimit të organizuara në vjedhjen e votave dhe kërcënimin e votuesve në zgjedhje. Por hetimet për të u zvarritën për një kohë të gjatë në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa kur ato u përfunduan akuzat për disa nga të dyshuarit ishin parashkruar.

Vetëm katër persona u morën të pandehur dhe u dërguan në gjykim nga prokurori i Dibrës Urim Buci. Veç Agës dhe Hotit, në një gjyq paralel po shqyrtohet çështja ndaj ish-drejtorit të Arsimit Drini Gjeci dhe ish-administratorit Nuri Meda.

Shumica e seancave në të dy proceset nuk kanë qenë efektive për shkak të mungesës së avokatëve dhe në ndonjë rast edhe të pandehurve. Ndërkohë edhe pse ishte PD që kallëzoi rastin në prokurori dhe përdori përgjimet e kësaj dosje si justifikim për djegie të mandateve e më pas bojkotin e zgjedhjeve lokale, përpos seancave të fillimit të gjykimit, në gjyqe nuk ka pasur më përfaqësues të saj.