“Doktorët” në garë për kreun e Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut

794
Majtas, Hekuran Duka dhe djathtas Arben Agolli.

Beteja për kreun e Komunës së Dibrës në Maqedoninë e Veriut do jetë ndërmjet dy mjekëve, Arben Agolli nga Aleanca për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Aleanca për Shqiptarët dega Dibër, pak ditë më parë mbajti kuvendin zgjedhor, ku caktoi kandidatin Arben Agolli, me të cilin do të garojë për postin e Kryetarit të Komunës në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 21 prillit në Dibër. Agolli ishte kandidat i Aleancës për Shqiptarët edhe në zgjedhjet e fundit lokale për Dibrën, ku me rezultat shumë të ngushtë humbi ndaj ish-kryetarit tashmë të ndjerë Ruzhdi Lata.

Pas ndarjes nga jeta të Latës, funksionin e kryetarit të Komunës së Dibrës e mbajti Hekuran Duka, këshilltar nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Duka është mjek specialist-urolog në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër dhe do garojë në zgjedhjet e 21 prillit nën siglën e BDI-së.

Komuna e Dibrës, Maqedonia e Veriut. Foto nga interneti

Zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme për komunën e Dibrës do të mbahen më 21 prill, bashkë me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë me kandidatin e saj në garën për kryetar të Komunës së Dibrës. “Ne nuk do të kemi kandidatin tonë në garën për kreun e Dibrës. Tani për tani, nuk kemi asnjë qëndrim nëse do të mbështesim një nga kandidatët tjerë në garë”, kjo ishte deklarata e dhënë për mediat në Dibër nga Afet Avmedoski, kryetar i Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Dibër.

/bulqizaime.al/