Disa vatra zjarri në pyjet e Bulqizës

282
Zjarri në masivin pyjor të Liqenit të Zi

Një zjarr në ekonominë pyjore të liqenit të Zi vijon prej disa ditësh. Ndërsa ditët e fundit në të gjithë Bulqizën janë shfaqur një sërë vatrash zjarri në pyje.

Ditën e sotme është dashur ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku është arritur izolimi i pjesshëm i flakëve.

Në një postim në Facebook, Festime Mjeshtri, kryetare e Bashkisë Bulqizë, ka raportuar se një zjarr i madh ka shpërthyer në rrugën e fshatit Tërnovë dhe ka prekur një sipërfaqe të gjerë pyjore, duke dëmtuar rreth 6 hektarë pyje. “Pas një angazhimi intensiv nga shërbimet zjarrfikëse dhe ndërhyrjes nga ajri është arritur izolimi i pjesshëm i flakëve. Pavarësisht nga dëmet e shkaktuara, izolimi i zjarrit është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së mjedisit dhe sigurisë së gjithë zonës përreth. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të marrë masat e nevojshme për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.”

Zona e ekonomisë pyjore në liqenin e Zi, por edhe në Tërnovë të Bulqizës thuajse çdo vit përfshihet nga flakët. Kjo mendohet të jetë e qëllimshme, për të justifikuar prerjen e paligjshme të pyjeve në këtë zonë. Zjarrvëniet e pandëshkuara dhe prerjet e paligjshme kanë shkatërruar kurorën e gjelbër të një prej zonave të shpalluara edhe si monument natyre, si ajo e Liqenit të Zi.

Sipas inventarit të fundit, realizuar në vitin 2021, rreth 40 përqind e sipërfaqes së Shqipërisë është e mbuluar nga pyjet, ç’ka dëshmon për një pasuri të madhe për ekonominë dhe biodiversitetin e vendit. Megjithatë, gjatë 30 viteve të fundit kjo pasuri kombëtare është keqpërdorur dhe keqmenaxhuar. Moratoriumi për pyjet, i vendosur në vitin 2016 dhe që vazhdon ende, ka frenuar në një masë prerjet e jashtëligjshme, por pa ndikuar sa duhet në shtimin e sipërfaqeves pyjore.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë dekadës së fundit, në Shqipëri u dogjën nga zjarret më shumë se 230 mijë hektarë pyje. Kapacitetet e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, sidomos në zonat e thella malore, janë të kufizuara. Shërbimi zjarrfikës ka automjete të vjetruara dhe të papërshtatshme për situatat në pyje, por edhe mungesa në paisje për personelin – forca parandaluese dhe reaguese për mbrotjen e sipërfaqeve pyjore vazhdon të jetë shumë e dobët.