Digjen makinat e kryetares së PD-së në Ulëz

704
Makina e djegur në Ulëz. Foto: Mat Tv

Dy makinat në pronësi të kryetares së PD-së në Ulëz, njëkohësisht edhe administratore e njësisë janë djegur gjatë natës.

Makinat e Gjelina Kalthit, kanë qenë parkuar pranë shtëpisë së saj kur kanë marrë flakë. Megjithëse zjarrfikësja ka mbërritur në kohë, ato janë dëmtuar plotësisht.

Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarjeje, por dyshohet se është zjarrvënie e qëllimshme.

Reagon Partia Demokratike: Bandat e Ramës në Mat i vunë flakën makinës së kryetares së strukturës së PD në Ulëz

Mesnatën e mbrëmshme, bandat e Edi Ramës në Ulëz të Matit kanë djegur dy makinat e kryetares së strukturës së PD në Ulëz, znj Gjelina Kalthi. Asnjë problem teknik, asnjë konflikt nuk ka patur familja e znj. Kalthi me askënd në Ulëz.

I vetmi shkak i këtij sulmi banditesk është fakti se me këto dy makina, familja Kalthi ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestë, duke shoqëruar edhe qindra qytetarë të tjerë protestues nga Ulza.

Postblloqet policore në rrethin e Matit kanë identifikuar makinat si “transportuese” të protestuesve nga Mati në Tiranë dhe mbrëmë, në mes të natës, si hajdutë e banditë, kanë realizuar aktin kriminal.

PD dënon ashpërsisht këtë akt qartësisht politik dhe banditesk. Ai është një akt që as do ta harrojmë, as do ta falim.

Një ditë, në këtë vend drejtësia do të vendoset dhe para drejtësisë, me Edi Ramën, do të vendosen dhe bandat e banditët që realizojnë akte të tilla, që synojnë intimidimin dhe frikësimin e kundërshtarëve politikë të regjimit kriminal të Edi Ramës.

Bandat e Edi Ramës, betejën me demokratët e qytetarët e Matit e kanë të humbur.

Familja Kalthi, bashkë me qytetarët e tjerë të Ulzës, do të jenë edhe nesër në protestë, para kryeministrisë, në orën 19.00

Malësorët e Matit nuk i nënshtroi dot Enver Hoxha, ata nuk do t’i nënshtrojnë dot as banditët e drogës e të hashashit, në shërbim të kryeministrit ilegjitim të Avdylajve.

https://www.facebook.com/TvMati/videos/334422937251531/