Dibranët e Japonisë

481

Vjollca SADIKU

Dibër, 15 shkurt – Migrimi masiv i të rinjve dibran vazhdon. Përveç faktit që ata në të kaluarën, por edhe sot shpëtimin ekonomik e gjenin në shtetet evropiane si dhe në SHBA, kohëve të fundit vërehet edhe migrimi, çuditërisht, në shtet të largëta aziatike, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat jozyrtare thonë se edhe gjatë vitit 2016 mbi 300 të rinj, mes të cilëve edhe të rinj me diploma universitare, lëshuan Dibrën për shkak të papunësisë.

Kohë më parë në Japoni migruan dibranët, Aldior Kolari dhe Dritan Bastriaga. Ata për një kohë të shkurtër u gjendën në këtë shtet të largët, falë dorës së shtrirë nga biznesmeni Neat Mashkulli, i cili vite më parë nga Italia, ku punoi me sukses, shkoi në Japoni ku hapi biznesin e tij, përkatësisht një restorant në të cilin prezanton kuzhinën Italiane në këtë shtet të largët, por shumë të bukur.

Dibranët e rinj janë të kënaqur nga puna dhe angazhimi dhe normalisht, edhe nga fitimi. Në bisedën që patëm me Aldior Kolarin, ai na deklaroi se në Japoni, respektivisht në qytetin Nagoja, ka shkuar në qershor të vitit të kaluar.

“Arsyeja e migrimit tim në këtë shtet ishte pasiguria ekonomike në vendlindje, por edhe dëshira për të shijuar kushtet dhe risitë që ofron ky vend i ëndërruar nga shumë kush nga ne”, thotë për KOHA Aldiori dhe shton se papunësia të detyron që të marrish rrugën kurbetit. Ai po ashtu na thotë se karakteri i tij nuk ka mundur të durojë papunësinë.

“Sinqerisht ju them se për këto pak muaj që punoj në Japoni, kam mësuar shumë gjëra”. Bashkëbiseduesi ynë shton se përzgjedhja e Japonisë ka ardhur si rezultat i ofertës që ka marrë nga një mik shumë i madh i dibranëve, njeri me zemër të madhe, Neat Mashkulli. Dhe vendosa që të udhëtoj në këtë shtet të largët, shton Aldiori. Është një shtet teje karakteristik, me njerëz dinamik, me bukuri të shumta dhe me angazhim të madh në punë. Punoj si kuzhinier dhe kohën e lirë e kaloj me dy shokët e mi nga Dibra, Dritan Bastiagën dhe Kreshnik Mashkullin.

Japonezët si popull, tregon ai, karakterizohen me respektin që kanë njëri për tjetrin, por edhe për demokracinë dhe janë popull shumë kurioz. Janë një popull teje i civilizuar në shumë aspekte. Sa i takon kuzhinës, mund të them se kanë një kuzhinë teje të pasur dhe për ne, si shqiptarë, tepër interesante. Kuzhina japoneze dhe ajo shqiptare dallohen shumë.

Por, është për t’u theksuar se restoranti ku unë jam i angazhuar, përgatit vetëm ushqime italiane. Faktikisht dibranët në Japoni prezantojnë gatimet italiane, edhe atë në mënyrë shumë profesionale. Edhe vet japonezët befasohen pozitivisht kur marrin vesh se kuzhinën italiane në Japoni e prezantojnë shqiptarët.

Restoranti i Neatit është i njohur në Nagoja, qytet i madh dhe i bukur japonez, na thotë Dritan Bastriaga. Pronari është një person i respektuar, na thotë ai dhe shton se mysafirët që vijnë në restorant janë të kënaqur nga shërbimi që bëjmë ne. Sa i takon jetës dhe kulturës japoneze, mund të themi se teje interesante është muzika e tyre.

Është një muzikë, e cila është përplot me ritme dhe si e tillë është atraktive. Në jetën e përditshme kemi edhe shokë, kryesisht kamerierët japonez, me të cilët punojmë së bashku, thotë Kolari dhe shton se bëhet fjalë për njerëz pa komplekse.

Në përgjithësi japonezët janë shumë punëtorë dhe shumë të vëmendshëm në realizimin e detyrave të punës. Gjuha japoneze është një gjuhë e rëndë. Dibranët e rinj na thonë se në fillim kanë pasur probleme me mësimin e kësaj gjuhe, por me ndihmën e pronarit të restorantit italian, dibranit Neat Mashkulli, në këtë drejtim, kanë përparuar dukshëm, sidomos në mësimin e gjuhës në nivelin profesional. Është kënaqësi të jesh mes japonezëve, na thonë dibranët Aldiori dhe Dritani.

Modeli i ndërtimeve në këtë vend është teje interesant dhe për ne teje atraktiv. Aldiori thotë se është fat kemi shkuar në atë vend të largët. Nuk kam ndërmend të kthehem tani për tani, na thotë i riu dibran, thotë Kolari.

Burimi: dibra.us