Dibër, prej muajsh zvarriten punimet për ndërtimin e pedonales së re në zonën e llixhave

741
Zona ku pritej të ndërtohej pedonalja e llixhave në Peshkopi.

Me shumë buj e me disa foto nga kantieri i ndërtimit, në nëntor 2020 ish-kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj do të lajmëronte se kishte nisur puna për ndërtimin e pedonales së re në zonën e llixhave.

Me këtë investim synohej sistemimi i plotë i Përroit të Llixhave në segmentin nga Ura e Pazarit – Llixha dhe rikualifikimin urban. Vlera e investimit është 150.281.750 lekë më TVSH ose afro 1.3 milionë euro, dhe do të mbështetej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ky tender do të fitohej nga bashkimi i kompanive “BEAN” dhe “KOMBI INVEST” dhe duhej të përfundonte brenda 11 muajve nga lidhja e kontratës. Por me përfundimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, punimet e parashikuara në këtë projekt kanë ecur me “hapin e breshkës”.

Nga studimi i projektit të dorëzuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, rezulton se do të kryhej sistemimi i pjesëve anësore të lumit të llixhave, shndërrimin e sipërfaqeve të gjelbëruara me pesë lloje pemësh dhe pesë modele stolash, si dhe shtrimi i sheshit do të bëhej me pllaka guri, etj. “Ndërtimi i shëtitores përgjatë zonës së ndërhyrjes. Krijimi i një sheshi-qendër të aktiviteteve të parkut. Krijimi i zonave të caktuara funksionale përgjatë shëtitores, si park për fëmijë, zona për kamping, zona pushimi etj.” Thuhet në projekt.

Në terren, prej kohësh nuk duket asnjë punëtor apo makineri në punë për të zbatuar projektin. Nga institucionet shtetërore nuk ka asnjë sqarim publik për arsyet e zvarritjes së punimeve prej më shumë se një viti, kur kjo vepër do të duhej të ishte dorëzuar.

Aktualisht për këtë projekt është bërë vendosja e rrjetave me gurë në njërën anë të përroit. Banorët dhe pronarët e disa prej bizneseve në afërsi të kësaj zone, tregojnë për Bulqizaime.al se prej muajsh nuk kanë parë që të punohet seriozisht.

Përfundimi i këtij investimi do të kishte ndikim të drejtëpërdrejtë social-ekonomik për afro 4400 banorët e kësaj zone, por edhe tek afro 20 mijë banorët e qytetit dhe frekuentuesit e turizmit kurativ pranë qendrës balneare.