Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Dibër, pasi i kanë marrë me dhunë shumë parash një 62-vjeçari.
Sipas Policisë, ata i kanë shkaktuar edhe dëmtime trupore 62-vjeçarit, të cilin e zbritën nga makina për ti marrë shumën e parave. “Pas marrjes së njoftimit se në sheshin “Vapori”, në qytetin e Peshkopisë, dy shtetas të paidentifikuar kishin zbritur nga makina dhe i kishin marrë me dhunë një shumë parash shtetasit M. Gj., 62 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në trup, dhe më pas ishin larguar me shpejtësi me automjet.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Arratia e të rinjve zgjati vetëm disa orë – Policia i arrestoi teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor Peshkopi – Bulqizë. “Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe shumën e parave (364.000 lekë të rinj), që i morën me dhunë shtetasit M. Gj. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar: G. S., 25 vjeç, banues në Dibër dhe A. T., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.” thuhet në njoftimin e Policisë.