Dëshmia e motrës: Markeliani m’i vrau ditën kur do bënin të 40-at e vëllait

405

“Vëllezërit m’i ka vrarë Markelian Doçi”. Fllanxa Alliu, motra e Besnik Sulkut, një prej tre viktimave të ngjarjes së 27 majit 2015 para Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, ia “faturoi” të pandehurit Markelian Doçi vrasjen e dy vëllezërve të saj.

Më zë të mekur, duke përsëritur herë pas here se “nuk e kishte të lehtë”, dëshmitarja Alliu rrëfeu dijeninë e saj mbi vrasjen e vëllait Durim Sulku në Holandë, në mars të vitit 2015 dhe vrasjen e vëllait tjetër, 40 ditë në vonë në bulevardin “Zogu I” në kryeqytet.

Të pandehurit Klejvi e Markelian Doçi nuk ishin prezentë në sallën e gjyqit, por u përfaqësuan me avokatë. Po dje trupi gjykues i çështjes në ngarkim të Klejvi e Markelian Doçit dhe Salvatore Leticias u njoh me dëshminë e Artan Lamanit, personi i fundit që takoi Mentor Doçin (Lufin) pak sekonda para se të vritej.

MOTRA E SULKUT

Dëshmitarja Fllanxa Alliu rrëfeu para gjykatës se në vitin 2015 kishte shkuar në Holandë për të marrë vëllanë e saj, Durim Sulku, i vrarë në këtë vend. Ajo sqaroi se kishte shkuar në Holandë me nipin dhe jo më vëllanë tjetër, Besnik, pasi ky i fundit kishte probleme në këtë vend.

“Vëllai im Durim Sulku njihej edhe me emrin Ilirjan Suklu. Këtë e mësova nga policia holandeze, kur shkova në këtë vend për të marrë trupin e vëllait tim të vrarë. Kam shkuar atje më 6 prill 2015. Vëllai im jetonte në Roterdam dhe unë kisha 5 vjet nga takimi i fundit me të. Kur u vra Durimi, vëllai tjetër, Besniku, ishte në Shqipëri. Ngjarjen e mësuam prej tij. Nuk më ka dhënë detaje të tjera”, tha Alliu.

E pyetur nga prokurori i çështjes nëse kishte dijeni për autorin e vrasjes së vëllezërve, dëshmitarja u përgjigj:

“Vëllezërit e mi m’i ka vrarë Markelian Doçi. Derisa vranë Besnikun, nuk dija asgjë për ta, por tani e di që ai m’i ka vrarë”. Dëshmitarja tregoi se vrasjen e vëllait tjetër në bulevard e kishte mësuar nga lajmet në TV. “Ditën kur u vra Besniku, ne në shtëpi ishin duke bërë përgatitjet për ceremoninë e të dyzetave të vëllait të vrarë në Holandë”.

Fllanxa rrëfeu edhe në lidhje me marrëdhënien e familjarëve të saj me shtetasin italian të pandehur në proces, Salvatore Leticia, i dyshuar si një “killer” i një prej klaneve të organizatës mafioze “Kamorra” në Itali, shkruan Panorama.

“Salvatore Leticia është mik i familjes. Ne e kemi njohur atë nga vëllai im, Besniku. Ishin bërë vëllezër me njëri-tjetrin. Leticia ka ardhur disa herë në shtëpinë ku jetonin vëllezërit e mi. Ai ka qenë prezent edhe në varrimin e vëllait tim të vrarë në Holandë”, tha dëshmitarja.