Del në pension Kryekomisari i Dibrës Beqir Doçi, Çako i akordon Certifikatën e Karrierës

907

46 vjet efektiv policie dhe pa asnjë masë disiplinore. Beqir Doçi ka ndjekur të gjitha shkallët e karrierës duke marrë edhe gradën e lartë në polici. Ka kaluar thuajse në të gjitha sektorët e policisë dhe së fundi mbante detyrën e shefit të sektorit në Rendin dhe Sigurinë pranë Drejtorisë së Policisë Dibër.

Në ceremoninë e daljes në pension ka mbërritur edhe kjo certifikatë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor, Haki Çako, i cili i akordoi Kryekomisar Beqir Doçit vlerësimin për karrierën, me motivacionin “Për merita të veçanta dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë ceremonisë të organizuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, me rastin e daljes në pension të oficerit të policisë Kryekomisar Beqir Doçi, Zëvendësdrejtori i Policisë Dibër, drejtues Adriatik Tafçiu i ka dorëzuar zotit Doçi , “Certifikatën e Karrierës” të akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Në foto: Certifikate e Karrierës, akorduar nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako

Zv/drejtori i Dibrës Adriatik Tafçiu, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër Edmond Tarkaj, i ka uruar oficerit të karrierës, zotit Doçi pension të mbarë, mirësi e shëndet gjatë viteve të mbetura të jetës.

Tafçiu ka vlerësuar punën, kontributin dhe sakrificën 46-vjeçare të Beqir Doçit në radhët e Policisë së Shtetit, i cili e ka nisur punën si punonjës i rolit bazë duke u ngritur në gradë gjatë viteve, falë përkushtimit, rezultateve e ndershmërisë në punë, ku tashmë mban gradën Kryekomisar dhe së fundmi deri ditën e sotme mbante detyrën e Shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.

Kryekomisar Doçi, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për certifikatën e akorduar si një shenjë respekti dhe vlerësimi për 46 vitet e punës në polici, si dhe falënderoi gjithë stafin drejtues të Drejtorisë së Policisë Dibër për besimin që i kanë dhënë në kryerjen e detyrës që mbante si dhe gjithë efektivat për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në punë.

Gjatë ceremonisë të organizuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, me rastin e daljes në pension të oficerit të policisë Kryekomisar Beqir Doçi