Deklarata e Mziut nga Dibra ka sjellë reagimin e Metës dhe Ramës

1157
Xhelal Mziu gjatë një takimi elektoral në Peshkopi.

Deklarata e Xhelal Mziut nga Dibra ka sjellë reagimin e figurave politike në vend.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i shtetit, Ilir Meta theksoi se më 25 prill duhet të shmanget çdo incident dhe provokim i qëllimshëm që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

“Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën”, shkruan ndër të tjera presidenti.

“Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë!  Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani”, shkruan më tej Meta.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se sjellja politike e Xhelal Mziut duhet të jetë subjekt i Drejtësisë Popullore në 25 prill.

“Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!  Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht”, shkruan Rama.

Sipas tij, “më 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre”.