Cilësia arsimore e të rinjve lë për të dëshiruar dhe lajmëron një perspektive jo të mbarë në drejtim të vlerës së shtuar të rritjes së qëndrueshme të vendit në afat të gjatë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, që nuk ishin as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbënin e të 28,6 % të të rinjve gjithsej.
Në këtë grup, 36,6 % e të rinjve ishin të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (11,7 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (22,0 %) ose për arsye të tjera (29,6 %).
Ndër të rinjtë që janë as të punësuar as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, burrat janë më aktivë në treg sesa gratë (50,4 % e burrave janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek gratë kjo përqindje është 25,7 %).
Të rinjtë shqiptare karakterizohen nga një nivel i lartë dembelizimi. Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. Por nuk janë këto aktivitetet e vetme. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste.
Faktor i fuqishëm në këtë çështje është, sigurisht, edhe statusi ekonomik i të rinjve: 8% e të rinjve nga grupi më i varfër ekonomikisht nuk del kurrë, krahasuar me mesataren kombëtare, që është vetëm 1%, citon studimi i FES.
Gjinia është faktori kryesor që vendos zgjedhjen e aktiviteteve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videolojëra, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra.
Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen. Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, çdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës (85% e bëjnë këtë shumë shpesh) , dalja me miqtë (70% e bëjnë shumë shpesh), shikimi i filmave (72%), relaksimi dhe kalimi kohës me familjen e tyre (92% e bëjnë këtë mjaft shpesh).
BURIMI: Revista “Monitor”