Bulqizës i shtohet një media e re lokale, “Bulqiza.info”

1055
Screenshot ballina e bulqiza.info

Tregut mediatik në Bulqizë i është shtuar një media tjetër online, “Bulqiza.info”. Një portal i tillë është hapur pak ditë më parë. Bulqiza.info nuk ka asnjë lidhje me Bulqiza ime. Një reagim i tillë vjen pas mesazheve të shumta mbërritur në adresën tonë, duke lidhur këtë portal me atë se çka ne bëjmë. Bulqiza ime vepron që prej vitit 2015-të, fillimisht në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram dhe që prej 7 marsit 2017 edhe në adresën bulqizaime.al.

Bulqiza ime është një media jofitimprurëse, ngritur me qëllimin e vetëm mbrojtjen e interesit qytetar dhe për të qenë një dritare ku banorët e Bulqizës dhe jo vetëm informohen pa barriera, pa anësi politike. Bulqiza ime “mbahet në këmbë” me punë vullnetare dhe me raportimet e qytetarëve që e kanë parë një media të tillë online, si një mundësi për të ngritur një shqetësim apo problem që mund të jenë përballur në jetën e përditshme.

Ne, Bulqiza ime do të vazhdojmë misionin tonë për të qenë zëri i qytetarëve! Në raportimin tonë jemi munduar të pasqyrojmë shqetësimet e njerëzve të zakonshëm të këtij qyteti, që jetën e tyre e kanë ndërtuar në Bulqizë dhe do të vazhdojmë misionin tonë pa kompromis, siç e kemi nisur në vitin 2015-të.

Mbesim besimplotë se bashkarisht, si media lokale do të ndihmojmë në forcimin e demokracisë lokale dhe mbrojtjen e interesit publik.