Bulqizë / Puna rraskapitëse e fëmijëve mes stoqeve të kromit për një copë bukë

586
Fëmijë duke mbledhur krom në Bulqizë. Foto: Sami Curri / Citizens Channel

*Nga Sami CURRI, për Citizens Channel

“Nuk kam ardhur për të bërë lek këtu, kam ardhur vetëm për një thes mjell”, na thotë një grua afër të 60-ave, e cila po rrëmon për krom në një stok miniere në Bulqizë.

Ky është burimi i vetëm i të ardhurave për shumicën e familjeve në qytetin e Bulqizës. Këto masive gurësh janë krijuar nga puna disa vjeçare në sektorin minerar.

Më së shumti janë gra dhe fëmijë që kërkojnë atë pak krom që mund të ketë mbetur, për ta shitur më pas tek kompanitë apo individët që merren me tregtimin e kromit.

Në ndryshim nga bashkëmoshatrët e tyre, fëmijët e varfër të Bulqizës nuk bëjnë pushime verore, por punojnë për grumbullimin e kromit. Ashtu si edhe në këto ditë të nxehta të muajit gusht, ku edhe pse temperaturat shënojnë mbi 30 gradë celcius, “fëmijët minatorë” dhe gratë rrëmojnë nëpër stoqet e Bulqizës për të gjetur krom.

Minerali që mblidhet prej tyre blihet me 8 ose 10 lekë për kilogram, nga disa firma apo persona të cilët më pas e rishesin mineralin me 18 ose 20 lekë kilogramin. Fitimi për një person që punon në stogjet e kromit, në të zezë dhe pa asnjë masë sigurie, varion nga 800 – 1000 lekë të reja në ditë. Kjo punë bëhet në një zonë ku aksidentet me pasojë vdekjen apo plagosje të rënda janë të shumta.

Ka raste që fëmijët shoqërohen edhe nga prindërit e tyre në stoqet e kromit. Këta të fundit shprehen se i dinë pasojat dhe rreziqet e një pune të tillë, por nevoja dhe gjendja e vështirë ekonomike i detyron që të vijnë dhe të punojnë.

Ndërsa fëmijët që punojnë në stoqe nuk duan të flasin. Ata kanë frikë se të nesërmen nuk do të lejohen të punojnë nga administratorët e stogut.

Një rast i tillë ishte edhe i një 17-vjeçari, që në pamundësi ekonomike nuk e kishte filluar gjimnazin dhe kishte vendosur të punonte në stoqet e kromit. Me paratë e fituara ai mund të ndihmojë sadopak familjen e tij.

Raste të tilla janë të shumta në Bulqizë. Ai është bërë një “mjeshtër” në njohjen e gurit të kromit, e dallon me të parën.

Në një stog tjetër, duken që nga larg tre fëmijë që po gërmojnë në gjetjen e gurëve të kromit. Nga momenti në moment ata rrezikohen nga rënia e gurëve mbi kokat e tyre.

Furgon për transport kromi. Foto: Sami Curri / Citizens Channel

Pak metra më larg, duket një furgon që merret me mbledhjen e kromit të grumbulluar nga këta “minatorë të vegjël”. Pranisë së aparatit i frikësohen duke kërkuar me ngulm që të mos filmohen.

Alfio, një 15 vjeçar, punonte në pirgun e gurëve që në orët e para të mëngjesit dhe fitimi nga mbledhja e gurëve të kromit, shkonte deri në 10 mijë lekë të vjetra në ditë.

Fshehtas, ai na tregon se jo gjithmonë arrin të gjesh krom aq sa duhet, pasi kohët e fundit firmat kanë punësuar gra që e seleksionojnë kromin që në dalje të galerisë dhe për ta nuk mbeten shumë gurë kromi.

Studimi

Deri më sot nuk është bërë një studim i mirëfilltë për punën e fëmijëve në sektorin minerar. Në vitin 2015, Avokati i Popullit dhe “Save the Children”, përgatitur nga instituti ‘Seda’,  kanë punuar një analizë të situatës së punës së fëmijëve në Shqipëri, ku preket edhe puna në sektorin minerar në zonën e Bulqizës.

Në analizë konstatohej se në bashkinë e Bulqizës (tek subjektet minerare të kromit), shpesh fëmijët për shkak të situatës së vështirë ekonomike apo për shkak të pamundësisë fizike apo shëndetësore të prindërve të tyre, kanë zgjedhur të shkojnë në punë, duke mbledhur krom në mënyrë informale kryesisht në dalje të minierave apo në stoqet e kromit rreth tyre.

Në analizë, për periudhën Janar – Gusht 2015, janë realizuar kontrolle në 248 subjekte minerare, me 4818 të punësuar, nga inspektorët e Punës së Qarkut Dibër, ku nuk është konstatuar asnjë i punësuar nën moshën 18 vjeç.

Por në këtë analizë, që trajton paksa edhe pjesën e punës së fëmijëve në sektorin minerar në zonën e Bulqizës, nuk jepet asnjë e dhënë për numrin e saktë të fëmijëve të cilët punojnë në stoqet e kromit.

Legjislacioni

Kodi i Punës ndalon marrjen në punë të të miturve nën moshën 16 – vjeç, por vetëm në rastet kur kanë një autorizim të veçantë gjatë pushimeve të verës (për moshat nga 14-16 vjeç) dhe në punë të lehta.

Puna në sektorin minerar futet në kategorinë e punëve të vështira, sipas vendimit Nr. 207, datë 9.5.2002, për përcaktimin e punëve të vështira dhe të rrezikshme.

Sipas vendimit Nr. 266, datë 12.04.2012 të Këshillit të Ministrave, ngarkohen institucionet në ngritjen e strukturave përkatëse për bashkërendimin e veprimtarisë së mekanizmave në nivel qendror dhe vendor, për çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Bulqiza. Foto: Sami Curri / Citizens Channel

Ping-pongu i institucioneve

Nga zyra e shtypit në Bashkinë Bulqizë, në lidhje me punën e fëmijëve në sektorin minerar dhe konkretisht në stoqet e kromit, bëhet me dije se ka një person që merret me këtë pjesë, por që nuk ka asnjë studim apo të dhënë mbi numrin e fëmijëve që punojnë.

Citizens Channel kontaktoi edhe me Inspektoriatin e Punës në Bulqizë dhe na u bë me dije se inspektorët kanë për detyrë kontrollin e territorit të subjekteve të cilat janë të licensuara; në lidhje me sigurimin e punëtorëve, kushtet e punës etj. Ndërsa për kontrollin e fëmijëve që punojnë në stoqet pa pronësi, është detyrë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe ndalimin e punës.

Gjithashtu, sipas zyrës së Inspektoriatit të Punës në Bulqizë, është përgjegjësi e policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese për ndalimin e individëve apo subjekteve të caktuara që merren me grumbullimin dhe tregtimin e kromit nga fëmijët që punojnë në stoqe. Nga inspektorët e punës në rrethin Bulqizë, nga kontrollet e kryera në subjektet minerare, bëhet me dije se nuk është konstatuar asnjë punëmarrës nën moshën 18 vjeç.

Në foto: Zona mineralmbajtëse D, Bulqizë

Ne kontaktuam edhe me Policinë e Qarkut Dibër, e cila u përgjigj se duhet të jenë Inspektoriati i Punës dhe Kontrolli Tatimor që duhet të sinjalizojnë policinë për veprimtarinë e këtyre subjekteve/individëve që merren me grumbullimin e kromit nga të miturit, kjo si rezultat i punës së tyre në terren dhe nëse kanë hasur pengesa në ushtrimin e detyrës.

Sa i përket punëns së të miturve dhe grave, në stoqe pa pronar, Policia e Dibrës bën me dije se është e pa mundur të ndalohen, pasi një veprim i tillë është një zgjedhje e lirë e tyre, njësoj siç mund të punojnë në bimët medicinale.

Këto fakte tregojnë punën e dobët koordinuese ndërmjet institucioneve shtetërore, për ndalimin e punës në stoqet e kromit në Bulqizë, me dhe pa pronar, duke e kthyer Bulqizën jo vetëm qytetin e tragjedive njerëzore në minierë, por edhe qytetin e “minatorëve të vegjël”.

Autor: Sami Curri / Citizens Channel

*Autori është themelues dhe kryeredaktor i Bulqizaime.al