Policia e Shtetit ka arrestuar tre persona dhe ka proceduar një tjetër, akuzuar për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, DVP Dibër bën me dije se janë arrestuar personat “I. R., 22 vjeç, F. S., 19 vjeç dhe E. A., 20 vjeç”, gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për A. D., 21 vjeç, banues në Bulqizë.
“Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll 2 automjete me të cilat udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi F. S. është gjetur i fshehur një shkop gome si i Policisë, ndërsa pasagjerit në këtë mjet, shtetasit E. A., i janë gjetur të fshehura në trup doza me lënde narkotike canabis sativa.” Thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Në vijim të operacionit të koduar “Field” është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. R., ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, rreth 150 gramë lëndë narkotike canabis sativa e ndarë në doza, 1 bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në tokë dhe 170 kg duhan i ndarë në pako, i dyshuar i kontrabanduar. “Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë model 56.” Thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas funksiononin si grup kriminal që merej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, në zonën e Fushë-Bulqizës dhe në qytetin e Bulqizës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.