Bulqizë/ Përfshirja e administratës vendore në fushatë, përplasje mes PS dhe LSI

399

Përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Lëvizjs Sociliste për Integrim kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta pas kërcënimit të kryebashkiakut të Bulqizës për shkarkimin e disa punonjësve të njësisë vendore Gjoricë, që sipas tij i kërkonin banorëve votën në këmbim të ndihmës ekonomike.

Ndërkohë që fushata zgjedhore po i afrohet fundit, janë ashpërsuar sulmet me akuza të ndërsjellta mes PS-së dhe LSI-së edhe në rrafshin e qeverisjes vendore, ku të dyja këto forca akuzojnë njëra tjetrën për përfshirje të administratës në fushatë.

Kështu ka ndodhur në rrethin e Bulqizës, ku  kryetari i bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, gjatë një takimi elektoral që ka zhvilluar LSI në njësinë administrative Gjoricë, ku vetë ai ka marrë pjesë si përfaqësues i kësaj force politike,  ka kërcënuar administratën vendore me shkarkim nga puna për përfshirje në fushatë në favor të PS-së.

Në fjalën e tij para banorëve, kryebashkiaku Damzi është shprehur ashpër kundër një pjese të administratës të kësaj njësie që i përket PS, se është përfshirë në fushatë, duke kërcënuar banorët se po nuk votuan për nr.2, Partinë Socialiste, do tu ndërpritet ndihma ekonomike.

“Çdo ditë banorë të kësaj njësie më marrin në telefon ku më njoftojnë se punonjës të administratës së kësaj njësie, i kërcënojnë me heqje të ndihmës ekonomike, nëse më 25 Qershor nuk votojnë për Partinë Socialiste,” raportohet të ketë thënë ai.

“Ja ku po deklaroj këtu përpara jush se duke filluar që sot, kjo pjesë e administratës që ka bërë këtë veprim nuk do të jenë më bashkëpunëtorët e mi,” Damzi ka shtuar.

Ndërkohë i kontaktuar me telefon, kryebashkiaku Damzi tha se ende është në proces verifikimi të personave të kësaj administrate që janë përfshirë në fushatë, duke kërcënuar njerzit me heqje të ndihmës ekonomike, nëse nuk garantojnë të japin votën për PS-në.

“Pas verifikimevetë jeni të sigurtë se të gjithë kata persona do largohen menjëherë nga puna,” Damzi tha.

Kjo pasi sipas tij ata kanë shkelur ligjin 90/2012 për “Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, vendimi nr.473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerzore, financiare, logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”, si dhe vendimit nr.452 datë 27.07.2005 “Për miratimin e statusit të Shërbimit Social Shtetëror të ndryshuar.

Pas kërcënimit të ashpër të kryebashkiakut, se një pjesë e administratës së kësaj njësie që i përket PS-së, ka reaguar kandidati i PS-së në qarkun e Dibrës i fokusuar në Bulqizë, Myfit Duriçi. i cili hedh poshtë kategorikisht përfshirjen në fushatë të asaj pjese të administratës që i takon PS.

“Ju e dini mirë se në bashki çdo gjë funksionon vetëm me urdhërin e kryebashkiakut. Ndaj është e pamundur që administrata të kërkojë vota për PS, duke kërcënuar me heqje të ndihmës ekonomike banorët në këmbim të votes,” tha Duriçi.

“Është pikërisht ai, kryebashkiaku, që ka hedhur administratën në fushatë për të mbledhur vota për LSI.  Kështu gjatë këtyre ditëve të fushatës, kemi konstatuar njësi administrative si në Gollobordë, Shupenzë, Zerqan, etj, pothuajse të mbyllura, pasi administarata e tyre ndodhej në fushatë për të bërë vota për LSI,” përfundoi Duriçi.

BURIMI: Hysen Likdisha /BIRN/