Dy punonjës të Policisë Rrugore, janë dhunuar nga tre persona në zonën pranë mbikalimit në qytetin e Bulqizës. Policët ndaluan për kontroll një automjet tip “Benz” pasi u konstatua se kryente manovra gjatë lëvizjes. Shoferi ka refuzuar që të kryejë testin e alkoolit duke kundërshtuar efektivët.
”Të tre shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë duke ju shkaktuar dëmtime fizike dy prej punonjësve të policisë. Shërbimet e policisë kanë mundur të vënë në pranga drejtuesin e mjetit, shtetasin I. L., 30 vjeç, banues në Bulqizë, i cili duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë duke mos i lejuar të kryenin testin e alkoolit dhe të mos shoqërohej në komisariat.”- thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Sipas Policisë dy pasagjerët që ndodheshin në makinë kanë mundur të largohen, por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, konketisht: “A. S., 22 vjeç dhe A. D. 30 vjeç, banues në Bulqizë, të cilët kanë goditur punonjësit e policisë duke u shkatuar dëmtime trupore, me qëllim që mos shoqërohej në Komisariat drejtuesi i automjetit.” – thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Nga testi i alkoolit rezultoi se shoferi ishte në gjendje të dehur, ndëra materialet proceduriale i’u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me forcë i punonjësit të policisë”, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.