Bulqizë, 16 të proceduar dhe 5 të arrestuar pas protestave paqësore për çmimet e rritura të karburanteve dhe ushqimeve

1368
Protesta e zhvilluar në Bulqizë.

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën se kishte arrestuar 5 persona që morën pjesë në protestat e zhvilluara në datat 10 dhe 11 mars, kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe ushqimeve. Në një njoftim për shtyp policia bëri me dije edhe se kishte proceduar penalisht 16 persona të tjerë dhe shpallur në kerkim një tjetër.

Policia bëri me dije se të arrestuarit akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia “kërcënoi” protestuesit që të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

Për tre ditë me radhë në Bulqizë janë zhvilluar protesta në linjë edhe me protestat kombëtare. Protestat kanë qenë paqësore, asnjë person apo pronë publike dhe private nuk është dëmtuar. Rruga nacionale Bulqizë – Peshkopi gjatë protestës ka qenë e bllokuar nga vetë Policia në dy segmente, qafë Buall dhe në Vajkal.