Autor: Hysen Likdisha | Porta Vendore
Bulqiza është ndër qytetet e pakta, për të mos thënë i vetmi, të cilit i mungon tregu i lirë i shitjes. Kjo mungesë e cila ka futur në vështirësi tregtarët dhe konsumatorët për të marrë shërbimin e duhur, ka qenë ndër vite një mundësi e mirë premtimi e kandidatëve për kryebashkiakë edhe pse ndërtimi i tij, në çdo rast ka mbetur një premtim i pambajtur prej tyre.
Mungesa e një ambienti për tregtim ka bërë që tregtarët ambulantë prej 28 vitesh të shesin në të dy krahët e rrugës automobilistike që lidh qytetin e vjetër, me qytetin e ri. Në vitet e para, pas ’90, tregtarët vepruan duke e ushtruar aktivitetin hapur në rrugë, por më vonë duke parë që premtimet për ndërtimin e tregut, nuk po mbaheshin nga kryebashkiakët, ata në rastin më të mirë, nisën të improvizojnë baraka llamarinash, për tu mbrojtur nga reshjet, era dhe i ftohti, që për Bulqizën, janë të shumta. Tregu, nëse mund të quhet kështu, ka funksionuar dhe vijon të funksionojë, në një kaos të vërtetë, ku përzihen bashkë, fruta-perime, bulmetra, ushqimore, therje e shitje mishi, enë kuzhine, fidanë pemësh, këpucë e veshmbathje të përdorura, etj. Madje me ndërtimin e barakave me llamarina, lulëzuan edhe pijetoret e kafetë e deri mini-restorantet, thertoret e mishit, lavazhet e makinave, këpucari, rrobaqepësi etj, etj.
Tregtarët shprehen se janë të detyruar të shesin në rrugë, pasi bashkia nuk ka ndërtuar ende një ambient të përshtatshëm për tregtim. “Por edhe pse bashkia nuk ka ndërtuar tregun e shitjes, si të gjitha bashkitë e tjera, taksën ia kemi paguar. Madje, ndër vite kemi paguar dyfish taksa”, thonë tregtarët, pasi veç bashkisë, taksë u kemi pagur edhe pronarëve pretendentë të tokës. “Nuk e dimë se ku shkojnë taksat tona prej kaq vitesh. Patëm shpresa se kryebashkiaku aktual, Melaim Damzi, i LSI-së, do ta mbante premtimin për ndërtimin e tregut. Por edhe kjo pritshmëri nuk rezultoi efektive. Madje ai u interesua të sistemojë “tregun e gabit” dhe jo tregun ushqimor, edhe pse ky i dyti lidhet direkt me shëndetin e banorëve”, vijojnë të thonë tregtarët, për “Porta Vendore”.
Ndërkohë konsumatorët shprehen se tregu është jashtë çdo lloj standardi, ku as që bëhet fjalë për plotësim të kushteve higjieno-sanitare, pasi ato janë skandaloze. “Këtu nuk bëhet fjalë për siguri ushqimore” – thonë banorët , “por jemi të detyruar të blejmë, pasi nuk kemi tjetër mundësi”. Makinat, pluhuri, qentë, kafshët që presin të theren, qumështi në shishe plastike në rreze të diellit, etj, e bëjnë pamjen e këtij të ashtuquajturi “treg shitje”, aspak të këndshme.
I kontaktuar me telefon nga “Porta Vendore”, për mungesën e tregut në qytetin e Bulqizës, kryebashkiaku Melaim Damzi, thotë se bashkia në vijimësi të punës së saj, ka qenë e preokupuar dhe përkushtuar për ndërtimin e tij. “Kemi një projekt për ndërtimin e tregut, por kanë munguar fondet e investimit, faktori që ka penguar e bllokuar ndërtimin e tij. Në kushtet kur bashkisë i mungojnë fondet, pa siguruar fondin e investimit, nuk mund të përcaktojë afatin e ndërtimit të këtij tregu”, e përfundon fjalën e tij për Porta Vendore, kryebashkiaku Damzi.
Rreth autorit:
Hysen Likdisha është gazetar në qarkun e Dibrës.