Nga Gjergji Xeka
PËR TË GJETUR NJË ZGJIDHJE RACIONALE NGANJËHERË NUK DUHEN LEXUAR LIBRA, POR DUHEN PYETUR NJERËZIT MË TË VJETËR DHE MË ME EKSPERIENCË.
Pasi mbaruam mbrojtjen e diplomës në qershor 1973 shkuam të kryejmë zborin tre mujor në Krastë të Elbasanit. Shumë shokë që kishin ndonjë të njohur në Tiranë përpiqeshin të ndërhynin për t’u emëruar sa më afër famijes.Unë nuk kisha asnjë të njohur dhe shkoja me shpresë sepse do merreshin parasysh notat, hallet e familjes që babai im ishtë i verbër dhe isha edhe i fejuar. Në nëndor rreth datës 7 mbaruam zborin dhe shkuam në shtëpi. E fejuara ishte në Bilisht e mora atë dhe shkuam në fshatin tim ku kisha prindërit. Ndenjëm dy tre ditë dhe u nisëm për Bilisht. Biletat e autobuzit mbaruan dhe u nisëm me këmbë deri në fshatin Shënkollas rreth 2 orë larg Bilishtit të prisnim makinat që çonin rërë në fabrikën e qelqit Korçë. Duke pritur meqë kishte P.T.T thashë të pyes për emrimin. Telefonin e kisha. Porosis telefonin dhe po pres. Bie zilja dhe punonjësja më thotë shok futu në gabinë. Hyra dhe ishte një grua. I them jam Gjergji Xeka dhe interesohem se ku më kanë caktuar. Pas pak vjen zëri i saj, – jeni emëruar në Bulqizë. E mbylla telefonin dhe pasi makina nuk kishte deri në Bilisht shkuam në këmbë. Shkojmë te shtepia e të fejuarës dhe vjehri na shikon të mërzitur dhe na thotë: -Ç’keni kështu si të mërzitur me dukeni. Pas pak e fejuara i thotë: E kanë cakuar në Bulqizë prandaj është i mërzitur. Vjehri pasi u mendua pak më thotë: Pse mërzitesh edhe atje jetojnë njerëz. Suksese!.
DY JAVË PËR T’U NJOHUR ME MINIERËN…
Ndenja edhe disa ditë dhe me datë 18 nëndor 1973 me autobuzët e linjës Tiranë Peshkopi rreth orës 12-30 zbrita tek sheshi ku ishte edhe restoranti. Mora shkallët përpjetë, hyra në zyrat e minierës dhe shkoj në zyrën e kryeinxhinierit sepse drejtori ishte në Tiranë. Takoj Bujar Patën dhe me uron mirëseardhjen dhe më drejton në zyrën e kuadrit. U regjistrova dhe takoj edhe nëndrejtorin Nazmi Përkolën që më jep letër që të marr shpërblimin prej gjysëm rroge. Ditën tjetër ariti edhe Dhimiter Cinga nga Gorancia i cili edhe ky kishte fatin tim. Bujari na tha dy jave do njiheni me minierën pastaj të shohim se ku do ju caktojmë. Shkuam në Zonën D me inxhinëer Hamza Guren dhe në pusin 2 me inxhinier Vasil Gudën të cilët na tregonin për minierën.
Moti ishte shumë i mirë dhe ngrohtë por pa pritur nga data 28-29 filloi një e ftohtë e madhe dhe dëbora ku bllokoi rrugët dhe prodhimi në minierë pothuajse u bllokua komplet. Duke parë këtë gjendje Drejtri Llambi Gegprifti organizon me 30 nëntor një mbledhje në kamp. Në ora 17-30 u nisëm me një zis të mbuluar dhe posa arritëm në postabllokun oficeri i rojës thërret drejtorin. Me të vjetrit e kuptuan sepse dicka kishte ndodhur në minierë. Vjen Llambi dhe na thotë pusi 1 ka aksident me vdekje. U trondita shumë. Shkuam në mbledhje drejtori dha udhëzimet për aksidentin dhe situatën dhe në fund tha: -Kanë ardhur tre inxhinierë të rinj. Gjergji Xeka në pusin 1, Dhimitër Cinga pusi 2 dhe Ferit Bruci zona d sekrori i parë. Meqë u caktova në pusin 1 atje ku kishte ndoshur aksidenti nuk kisha se si të mos shkoja. Shkova dhe zyra ishte plot me njerëz ku nuk njihja asnje. Më afrohet një burrë dhe me pyet: -kush jeni juve? I them jam caktuar këtu si inxhinier. U veshën disa persona dhe ky që më pyeti më thotë inxhinier do vish ti? – i them po. Më gjen çizme kasket dhe kandil dhe nisemi. Zemra më rrihte fort sepse në jetën time nuk kisha parë njeri të vdekur në galeri. E pashë dhe u largova nga fronti.Pas pak dalim në sipërfaqe dhe shkojmë në qytet. Të nesërmen shkova në punë dhe u njoha me personelin. Baftjar Fida shef, Rustan Loka inxhinjer, Ahmet Laci normist dhe personi që më shoqëroi dhe ishte Beqir Zuna që punonte si teknik që më vonë do ishte njeriu që më mësoi hapat e para të minierës.
Siç e thashë inxhinier zone ishte Rustan Loka, i cili ndenji dy javë duke më treguar punimet minerare që ishin në hapje e sipër dhe frontet e prodhimit shembjet dhe pastaj Rustani u emërua shef i sigurimit teknik të ndërmarjes. Unë tani punoja me Beqir Zunën dhe një teknik tjetër që erdhi Bashkim Cami i cili u largua shpejt. Studimet i kisha mbaruar me nota të mira por shikoja që shumë gjëra nuk bëheshim sipas atyre që kisha mësuar nëpër libra. Kishim mësuar që bëhen birat kështu apo ashtu por si praktikisht nuk e dija, kisha mësuar si mbusheshin birat por si praktikisht nuk e dija, po kështu edhe armatimet, shtrimin e shinave etj etj. Kisha mësuar sistemin me galeri nënkati që përdorte Bulqiza por si bëhej praktikisht nuk e dija. Duke parë se praktika ishte kryesore në këtë minierë ju qepa më të vjetërve që kisha në zonë për të mësuar çdo gjë. M’u kujtua fjala e Rustanit që kur unë shkoja me në çantë dhe brenda kisha libra për minieren ai më tha: -Gjergji, kromi këtu nuk del sipas librave por duhet më shumë praktikisht. Fillova pyesnja për çdo gjë të lirë dhe të dënuar për punën. Vija turni i dytë dhe i tretë për të parë si bëheshn birat në shembje apo në ballë dhe rimonte si mbusheshin ato nga zjarmëtari, shikoja si vendosej armatimi në rrugë kryesore apo në rimonte et etj.
SI FUNKSIONTE MINIERA MË E MADHE E KROMIT
Fillova ca nga ca të di se si funksinonin punët në mininerë. Çdo javë bëhej analiza e sigurimit teknik apo bëhej analizë në zonë për planin, normat, cilësinë disiplinën etj. Shikoja që nuk dija ç’të thosha dhe ç’të kërkoja nga mvartësit dhe kështu u detyrova të abanohem në gjithë gazetat krysore si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Puna”, “Ushtima e maleve” dhe lexoja shkrime problemore që kishin ngjajshmëri me punën në minierë dhe mbaja edhe shënime dhe kështu fillova të mësoj të flas nëpër takime me puntorët e lirë dhe të dënuar.
Tjetër problem ishte se duke mos patur eksperiencë pune merrja për bazë fjalët që më thoshte njëri apo tjetri dhe shumë here i bija me qafë tjetrit duke e ndëshkuar me ditë pune ose ulje kategorie. Kështu u detyrova të bëj kontrolle turni i dytë apo i tretë për të parë se kush bënte shkeljet. Në shumicën e rasteve ata që me spiunonin për të tjerët ata vetë bënin shkeljet dhe tani ndëshkoja ata që spiunonin dhe për pak kohë nuk me spiunonin më për njeri – tjetrin. Pra për rreth tre muaj arrita të mësoj shumë gjëra se si mund të drejtohet një sektor. Kur fillova punë vendosa mos bëj lëshime dhe të zbatohen ato që vendosnim bashkë në frontin e punës. Në fillim lija detyra të bëhet kështu apo ashtu dhe shumë nuk i zbatonin. Atëherë lija detyrën dhe shkoja në fund i kontrolloja dhe kur nuk behej ashtu siç kishim vendosur, puntorët e prishnin dhe e bënin përsëri pa pagesë.
Kështu e fillova punën e cila do vazhdonte për 15 vjet në minierën e Bulqizës dhe 2 vjet në minierën e Tërnovës si drejtor.
Kudo që punova ndjenja kënaqësi sepse ishin vetë njerzit që më respektonin dhe më mësonin sekretet e punës. Punova në pusin 1, në zonën D, sektori i parë me teknik Arif Jasharin që e dinte në pëllëmbë të dorës zonën D, në degën e investimeve, në pusin 2 si inxhinier zone me shef Ahmet Shehun, në nivel të tretë me Mustafa Patën Ylli Manjanin, Bujar Dumanin, në byronë e projektimit me Hamza Gurrën dhe Josif Mëhillin, dhe në fund si shef i sigurimit teknik. Kudo që punova pata suksese sepse i trajtoja të gjithë njësoj dhe ju jepja atë që meritonin. Niveli i tretë u mbyll fare dhe më caktuan mua dhe Mustafa Patën. Nuk dilte asnjë ton krom. Studiova materialet markshejderike dhe duke biseduar me më të vjetrit në këtë sektor si Kalosh Jellen, Zini Zunen, Fehmi Gjonin, Lulëzim Spaiun, Agim Kellcishtën, Zabit Çerën dhe shumë të tjerë që s’më kujtohen arritëm që brenda dy tre muajve të realizojmë planin vetëm me punimet minerare dhe kështu viti 1982 plani u mbyll që në shtator dhe po kështu vazhdoi edhe tre katër vjet të tjera.
Dua të them të vjetrit janë një thesar që unë nuk mund ta mohoj. Shumë probleme që të zgjidhen nuk duan të lexohen libra por duhen “lexuar” njerëz të mençur me eksperiencë dhe kjo nuk mungonte në asnjë sektor në Bulqizë. Punova me drejtor Llambi Gegpriftin, Martin Cukallën, Bujar Patën dhe Ismail Memën me të cilët ndanim të mirën dhe të keqen. Po kështu nuk mund të lë pa përmenduar gjithë inxhinierët më të vjetër që na mësuan edhe për minierën edhe për jetën familjare si Hamza Gurra, Vasil Jovani, Shefqet Kllogjeri, Vasil Guda, Agim Ajazi, Todi Sema, Jorgo Kola e shumë të tjerë.
MINATORËT, MË PARË TË MENDOJNË PËR JETËN DHE FAMILJET E TYRE, PASTAJ PËR KROMIN
Për Bulqizën gjeja me shqetësuese ka qenë dhe mbetet zbatimi i rregullave të sigurimit teknik. Kam punuar dy vjet si shef i sigurimi teknik 1985-1987 bashkë me katër teknikë të tjerë dhe e di se sa e dhimbshme është të ike një jetë njeriu. Edhe sot dëgjoj për aksidente me vdekje dhe më dridhet trupi. Bëra një studim për aksidentet me vdekje që nga viti 1948 dhe deri ne vitin 1987 dhe sipas proces verbaleve rezultonte që reth 90% e tyre ishin shkaktuar nga moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik në punë pra që edhe mund të mos kishin ndodhur. Prandaj me këtë rast i bëj thirrje të gjithë minatorëve që punojnë sot që në radhë të parë të mendojnë për jetën e tyre dhe familjet pastaj për kromin. Më mirë pak më të varfër dhe të jetojmë se sa të pasur dhe me kokë në torbë.
Duke përfunduar mund të them sepse vitet e punës në Bulqizë ishin për mua vite që mësova shumë nga njerëzit dhe nga miniera për jetën. Për punën kacafyteshim por respektin e kishim për njëri-tjetrin.
Po kështu në punën tonë edhe kemi gabuar dhe në disa raste kemi rënë në qafë shumë personave që nuk vinte nga inati për ta por mendonim se mund të regullonim më mirë punët. Nga viti 1990 si kudo në Shqipëri edhe në këtë minierë u tronditën shumë themelet e punës në minierë. Jam larg dhe mund të gaboj por gjithë firmat koncesionare që kanë ardhur kanë marrë atë çka mund të marrin dhe për puntorët s’kanë bërë asgjë përderisa kam dëgjuar që ka familje që s’mund të blenë bukën për fëmijët. Çfarë firmë koncesionare është ajo kur akoma ka familje të tilla?
Ajo firmë që duhet lejuar të shfrytëzojë këtë minierë duhet në radhë të marrë rregulloje familjet e varfëra dhe jo vetëm këto por edhe ata që jetojnë atje janë njerëz që i japin shumë të ardhura shtetit dhe kur ka varfëri edhe atje ku nxirret minerali i kromit atëherë s’ka kuptim të coptohen njerëzit. Familjet në Bulqizë duhet të jenë nga më të mirat nga ana ekonomike dhe të ketë familje në këtë varfëri të skajshme. Atje duhet të jetë qytet model dhe modern që jeta të mos jetë e mërzitshme për ata që banojnë atje. Kur dëgjoj vetë minatorët që thonë se kështu siç punojmë ishim më mirë më parë kuptohet që punët kanë shkuar më keq dhe jo për më mirë.
Kanë kaluar 44 vjet që atëherë kur fillova punë dhe kam kujtimet me të mira si nga miniera ashtu edhe nga njerëzit me të cilët punova. Kur u trasferova në Korçë kuptova se emrimi në Bulqizë nuk ishte siç e mendova në fillim por ishte ai që më nevoitej. Pas 44 vjet ka shumë që nuk jetojnë më por edhe shumë që nuk jetojnë në Bulqizë. Ata që nuk jetojnë uroj të jenë të qetë në banesën e tyre të fundit ndërsa të tjerëve i uroj shëndet dhe mbarësi… Vitin tjetër miniera do festojë 70 vjetorin e fillimit të punëve në këtë minierë madhështore me njerëz heroikë. Me këtë rast ju uroj shëndet të gjithë bulqizakëve, të kenë mbarësi në familjet e tyre dhe ishalla rregullohen punët për një jetë më të mirë.
BURIMI: Gazeta Bulqiza (Dhjetor 2017)