Bulevardet e “rilindura” në Bulqizë dhe Dibër, një investim i dështuar brenda pak vitesh

605
Bulevardi “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë. Foto nga dokumentet e projekt-zbatimit.

Projekti i “Rilindjes Urbane” u trumpetua si një iniciativë ambicioze e qeverisë Rama për të rigjallëruar hapësirat publike në qytete të ndryshme të vendit. Në këtë projekt u përfshinë edhe pedonalet në Bulqizë dhe Peshkopi, ku këto investime u shkatërruan brenda pak vitesh, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve.

Rilindja urbane në Bulqizë, pedonalja u shkatërrua dhe u “arnua” brenda pak vitesh

Në vitin 2015, në kuadër të programit për Rilindjen Urbane, në Bulqizë nisi rehabilitimi i pedonales së qytetit. Një investim prej afro 820 mijë eurosh, kishte si synim shtrimin e bulevardit me pllaka guri, rinovimin e fasadave të pallateve dhe në hapësira të tjera publike. Qytetarët dhe bizneset e vogla që ushtrojnë aktivitetin në atë zonë e pritën me entuziazëm, duke shpresuar se kjo ndërhyrje do të sillte një përmirësim të ndjeshëm dhe një imazh më të mirë për qytetin. Por koha tregoi që nuk ndodhi kështu.

Projekti i pedonales në Bulqizë u financua në fazën e parë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe përfshiu ndërtimin e Unazës së Poshtëme të qytetit, e njohur sot si rruga “Dilaver Sinani”, si dhe rikonstruksionin e fasadave në lagjen “Gjeologu”.

Në vitin 2016, Kryeministri Edi Rama, me një postim në rrjetin social Facebook – shoqëruar me disa foto – deklaroi se bulevardi i qytetit të Bulqizës po i afrohej përfundimit, duke theksuar se përmes programit kombëtar të Rilindjes Urbane, pas më shumë se njëzet vitesh rrënim dhe braktisje në baltë dhe pluhur, komuniteti bulqizak po përjetonte ndryshime të rëndësishme cilësore në hapësirat e përbashkëta sociale. Ai vlerësonte se ky projekt po i rikthente qytetit një dinjitet të humbur dhe një ambient të denjë për jetesë.

Megjithatë, vetëm pas disa muajsh nga mbyllja e investimit, problemet filluan të shfaqen për shkak të punimeve jo cilësore. Pllakat e vendosura në pedonale filluan të thyhen, duke krijuar një ambient të rrezikshëm për këmbësorët, sidomos gjatë dimrit, kur bora dhe ngricat “pushtonin” bulevardin për disa javë. Për më tepër, mungesa e sistemit të kanalizimeve ka shkaktuar përmbytje të vazhdueshme në dyqanet e zonës, duke e kthyer Bulqizën për disa orë, ngjashëm me Venecian, ku do të duhej një varkë për të kaluar në pedonale.

Punimet në vitin 2022 në pedonalen e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Në vitin 2022, Bashkia Bulqizë u detyrua të ndërhyjë përsëri, këtë herë me një investim shtesë prej 210 mijë eurosh për rikonstruksionin e muzeut të qytetit dhe sheshit përpara Pallatit të Kulturës. Kostoja totale për pedonalen, bashkë me projektin e vitit 2015-të, arriti në afro 1 milionë euro. Një pjesë e punimeve të realizuara ishin vetëm në qendër, ndërsa në shumicën e gjatësisë së pedonales, problemet mbetën të pazgjidhura – pllaka të thyera, stola dhe ndriçim të dëmtuar. Për banorët e Bulqizës, ky është një shqetësim serioz se si përdoren fondet publike, për punime që nuk kanë qëndrueshmëri dhe cilësi në përputhje me paratë e investuara.

Dibra me projekt për pedonale të re

Në Peshkopi, kryeqendra e qarkut të Dibrës, historia me pedonale është edhe më problematike – si përsa i përket kostove, ashtu edhe cilësisë së punimeve.

Në vitin 2016, bulevardi kryesor i qytetit iu nënshtrua një rikualifikimi urban me një investim prej afro 105 milionë lekësh. Kantieri i Rilindjes Urbane në Bashkinë e Dibrës u hap në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale të shtatorit 2016, të cilat përfunduan me fitoren e kandidatit të Partisë Socialiste, Muharrem Rama. Ky projekt supozohej të kishte një jetëgjatësi për disa dekada, por vetëm brenda një viti pas përfundimit të punimeve, bulevardi filloi të shkatërrohej. Njëjtë si në Bulqizë, gjatë dimrit bulevardi u kthye në një pistë “patinazhi”, ku më të rinjtë që rrëshkisnin mund të dilnin pa ndonjë dëmtim të rëndë, ndërsa më të moshuarit që dëmtoheshin nga rrëzimet, përfundonin në spital me fraktura.

Projekti i rikonstruksionit të bulevardit në Dibër në vitin 2016 u financua nga buxheti i shtetit dhe u zbatua nga Bashkia e Dibrës. Rinovimi kushtoi rreth 105 milionë lekë të reja ose me kursin e kohës, afro 850 mijë euro dhe punimet u kryen nga kompania fituese “Alko Impex Construction”. Në tetor të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, si dhe katër zyrtarë të tjerë për shkaktimin e dëmit ekonomik dhe ndikimin negativ në buxhetin e shtetit për shkak të keqpërdorimit të fondeve publike në projektin e “Rinovimit të infrastrukturës së Bulevardit ‘Elez Isufi'”. Çështja u zvarrit në dyert e drejtësisë, por pa ndëshkime për afro 850 mijë euro të investuara në bulevard.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një intervistë më 18 qershor 2024 të dhënë për televizionin “Scan”, deklaroi se bulevardi i ndërtuar disa vite më parë në Dibër ka pësuar dëmtime të shumta për shkak të përdorimit të gabuar të një guri jo të përshtatshëm për kushtet atmosferike të zonës.

“Ky është një bulevard që është ndërtuar para disa vitesh, por ka pasur një gabim në projektim. Sipas ekspertizës që kemi, është përdorur një gur përmeti. Një gur përmeti nuk mund të përdoret në Dibër, pasi aty ka temperatura të ndryshme. Nuk ka të bëjë me faktin nëse janë temperatura më të larta apo më të ulëta, por është një situatë atmosferike krejtësisht tjetër nga ajo ku është marrë guri. Për këtë arsye, edhe dëmtimet janë të shumta. Ndaj, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, kemi një plan për të rehabilituar të gjithë këtë bulevard, të mbushur me blira, që vetëm aroma që ndihet është fantastike. Do të kemi rehabilitim edhe të mobilimit urban, asaj që ne e quajmë stola, ndriçimin dhe gjithçka tjetër.” – u shpreh Balluku.

Projekti për bulevardin “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë

Në korrik të vitit 2024, Fondi Shqiptar i Zhvillimit lidhi kontratën për investimin që ka të bëjë me “Transformimin urban në hapësira publike kryesore rajoni 2”, projekt i quajtur “Bulevardi i Dibrës”. Në tender morën pjesë 19 operatorë ekonomikë dhe fituese u shpall kompania “Sireta 2F” me një kosto prej 182 milionë lekësh të reja ose afro 1.8 milionë euro. Referuar dokumenteve të tenderit, pesë operatorë të tjerë kishin paraqitur oferta më të ulëta. Open Procurement Albania e ka cilësuar këtë procedurë tenderimi me flamurin e kuq për shkak të “Skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”. Punimet nisën gjatë muajit gusht dhe parashikohet të përfundojnë vitin që vjen, që përkon edhe me zgjedhjet për Kuvendin. Me këtë prokurim, kosto totale për bulevardin e Peshkopisë shkon në afro 2.7 milionë euro.

Projekti për bulevardin “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë

Relacioni teknik i projektit parashikon rikualifikimin urban të Bulevardit të Dibrës dhe ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave dhe trotuareve të amortizuara. Në relacion thuhet se do të përdoret gur bazalti, por edhe guri i Lusernes nga rajonet malore midis Torinos dhe Cuneos në Itali, i shpjeguar se ofron qëndrueshmëri të lartë. Po ashtu, do të përdoren edhe gurët gëlqerorë nga Kovashica në Bulqizë dhe nga Mali i Thatë, të justifikuar si të përshtatshëm për të përballuar ndikimet e kripës gjatë periudhës së dimrit dhe reshjet e borës. Sipas planit, mbi 10 mijë metra katrorë pllaka guri do të zëvendësohen me të reja për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e bulevardit.