BSH: “Call Center”-at i sollën ekonomisë shqiptare 388 milionë euro

351

Industria e “Call Center”-ave nuk krijon vetëm vende pune, por paralelisht ajo është shndërruar në një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë kombëtare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar eksportet e shërbimeve të tjera i sollën ekonomisë shqiptare 388 milionë euro. Brenda këtij zëri pjesa dërrmuese vjen pikërisht nga shërbimet e marketingut dhe kujdesi ndaj klientit.

Vitet e fundit industria e “Call Center”-ave është zgjeruar me ritme të shpejta. Në 2016-n, të ardhurat e faturuara nga kompanitë “Call Center” u rritën me 40 për qind, ndërsa numri i të punësuarve vlerësohet të ketë arritur në mbi 25 mijë vetë.

Por rritja e shpejtë e kësaj industrie tashmë është vënë në pikëpyetje. Vitin e kaluar, Italia miratoi një ligj që synon rikthimin e kompanive “Call Center” të emigruara në vendet jashtë BE-së, një masë që godet veçanërisht Shqipërinë.

Por pavarësisht ligjit italian, Këshilli i Investimeve parashikon se industria e “Call Center”-ave në Shqipëri do të vazhdojë të rritet, duke u orientuar drejt tregjeve të reja si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania apo edhe Britania.

Në një analizë të posaçme, Këshilli raporton se paga mesatare për një punonjës të “Call Center”-ave në Shqipëri është 50 për qind më e ulët sesa mesatarja e rajonit, ndërsa qiratë e ndërtesave, një tjetër zë i rëndësishëm i kostos, janë 40 për qind më të ulëta.