Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit sot Gjykata e Lartë Zef Brozi komenton situatën politike në Shqipëri dhe shpreh keqardhje për refuzimin e ofertës bujare të kryeministrit dhe ndërkombëtarëve për të, ofertë që çdo opozitë do ta ëndërronte.
Për Brozin frika nga Vettingu ka bërë që Berisha dhe Basha të urdhërojnë bojkotin e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit, por dhe të kërcënojnë me dhunë ditën e zgjedhjeve në Kavajë.
Ai bën apel që populli i Kavajës të votojë i qetë dhe të mos shkojë askush në protestë për ti shërbyer dyshes së PD Berisha-Basha, që ka humbur arësyen dhe po tenton të shpëtojë nga ndëshkimi.
Brozi ngre alarmin se elementë terroristë të paguar për destabilizimin e vendit, mund të fusin duart të dielën dhe në Kavajë.
Për këtë ish-kreu i Kasacionit kërkon që organet ligjzbatuese të jenë prezentë dhe të zbatojnë ligjin, madje të arrestojnë dhe Berishën e Bashën nëse e shkelin ligjin.
“PD-Humbësja e Shanseve që çdo opozitë do të ëndërronte t’i kishte!!! Ofertat tepër tolerante që i bënë PD -së kryeministri Rama dhe ndërkombëtarët, asnjë opozitë në këto 26 vite nuk i ka pasur, as endërruar.
Frika nga Vettingu -është shkaku i vetëm që Berisha-Basha urdhëruan bojkotin e opozitës në Parlament e në zgjedhje.
Ata po shpresojnë se populli i Kavajës më 7 Maj nuk do të lejohet të votojë për kryetarin e Bashkisë.
Ata po shpresojnë se shqiptarët e ndershëm, të djathtë e të majtë, apo kushdoqofshin, do të tregohen aq të marrë sa të dynden në Kavajë të dielën për të sabotuar zgjedhjet e shpëtuar nga ndëshkimi dyshen Berisha-Basha që kanë humbur edhe sensin më minimal të arsyes.
Elementë terroristë e kriminelë mund të jenë avangarda e paguar për destabilizimim e Shqipërisë. Kjo është dhe vetëfundosja e Partisë Demokratike!
Ndjej keqardhje për demokratët e thjeshtë e të ndershëm që po besojnë verbërisht dyshen e inkriminuar që drejton-zhdrejton PD.
Shteti më 7 Maj duhet të garantojë qetësinë e nevojshme dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Prokuroria të jetë prezente në Kavajë dhe pa asnjë hezitim të arrestoje këdo që shkel ligjin, pra edhe Berishën e Bashën! Dhe atëherë qytetarët do fillojnë të besojnë se shteti ligjor po vepron.
Qytetarë të Kavajës-shkoni e votoni të qetë dhe tregojeni qytetarinë dhe kulturën tuaj përballë Saliut e Lulit që duan t’ju perbaltin e gjakosin!”, deklaron Zef Brozi.