Beteja për Dibrën nxjerr në skenë “faktorin çam”

541

Banorët e Dibrës-njëra prej zonave më të varfra dhe të izoluara në Shqipëri gjenden prej javësh nën gjuetinë për vota të politikës, ndërkohë që fushata për kryebashkiakun e ri shoqërohet me indiferencë, mosbesim dhe akuzat për blerje të votës.

Në qendrën e të moshuarve- një sallë e errët me karrige dhe tavolina të shqyera druri brenda pallatit të Kulturës në Peshkopi, Fejzi Saraçi, 63 vjeç shtyn kohën duke luajtur domino me një bashkëmoshatar të tij.

I dorëzuar se mund të gjejë ndonjë punë, baba i katër fëmijëve është indiferent ndaj poteres që vjen prej shëtitores kryesore të qytetit; fushata elektorale e të dyja kampeve ka arritur kulmin, po aq sa zhurma shurdhuese dhe shtëllungat e tymit që ngenë në ajër ekskavatorët dhe makinat e tonazhit të rëndë.

Shëtitorja kryesore e Peshkopisë është e mbushur dëng me vendas, punëtorë dhe flamuj elektoralë. Në krye të saj, një tabelë shpjegon se projekti i qeverisë për rikonstruktimin e qendrës do të përfundojë brenda 75 ditësh.

“Janë punime për fushatë ndaj kanë ardhur gjithë këtu. Duan vetëm votën dhe askush nuk e vret mendjen për hallet e dibranëve,”- thotë Saraçi me një tundje mosbesuese të kokës.

Me qytetin e Peshkopisë dhe dhjetra fshatra që e rrethojnë, bashkia e Dibrës konsiderohet si një ndër zonat më të varfra në Shqipëri. Bashkia me mbi 61 mijë banorë trajton 7272 familje me ndihmë ekonomike, ndërkohë që papunësia kap shifrat e 40 për qind të popullsisë së aftë për punë.

Familje të tëra, përfshirë edhe atë të Saraçit mbahen në këmbë prej parave të pakëta që ndonjëri prej fëmijëve fiton me emigracion sezonal. Megjithatë, dibranët e pashpresë gjenden prej javësh nën trysninë e një gjuetie të re politike.

Thuajse një vit pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri, ata janë ftuar sërish t’u drejtohen kutive të votimit më 11 shtator për të votuar pasardhësin e Shukri Xhelilit-kryebashkiakut të arrestuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Pretendentët për postin e tij janë Muharrem Rama-mjeku kirurg i qytetit që përfaqëson koalicionin e majtë dhe Sherefedin Shehu, një politikan i profilit të lartë të së djathtës, që hoqi dorë nga mandati i deputetit për të garuar për Dibrën.

Të gjithë në Dibër

Shëtitorja kryesore e Peshkopisë, pak ditë para zgjedhjeve për kryebashkiakun. Foto:Lindita Çela

Prej 2 gushtit kur u shpall dekreti për zgjedhjet, qyteti i braktisur prej më shumë se dy dekadash u mbush me ministra, deputetë, punonjës administrate dhe përfaqësues partish të rëndësishme apo satelitë të tyre.

Megjithatë, dibranët po shohin me habi se si PDIU-një parti e dorës së dytë deri dje në Dibër ka marrë në dorë frenat e fushatës në prapaskenë dhe po gjen shtrirje gjithnjë e më të madhe në administratë.

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, e njohur edhe si partia e çamëve doli nga zgjedhjet e 2013-s si parti opozitare. Në zgjedhjet lokale të 2015-s, PDIU u zhvendos majtas, ndërsa në fushatën për Dibrën ajo po konsiderohet një faktor i rëndësishëm për animin e peshores.

Në prag të zgjedhjeve, Peshkopia është e ndarë në dy llogore.

Ish-turizmi i vjetër është i mbushur me përfaqësues të koalicionit të majtë, në krye të të cilëve janë ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, deputetët Rakip Suli, Ulsi Manja, Sadri Abazi, Blerina Gjylameti e Aqif Rakipi i PDIU.

Në hyrje të qytetit, te hotel “Veri” janë përqendruar kundërshtarët e djathtë, ku gjen në të njëjtën tavolinë Arben Ristanin, Ridvan Boden, Igli Carën dhe Genc Pollon. Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi ndodhet pak metra më tej mes një grumbulli pleqsh, të cilëve u kërkon votën në emër të ndjenjave të tyre patriotike.

E gatuar në Tiranë si një betejë testi për zgjedhjet e 2017, fushata ka prodhuar në Dibër historitë e veta të incidenteve dhe akuzave për blerje të votës.

Më 9 shtator, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas saj blen vota dhe kanos votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama.

“Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër,”-thuhet në deklaratën e PD.

Partia Socialiste e përgënjeshtoi këtë shqetësim me një kundër-akuzë dhe deklaroi se PD po përgatiste alibinë e humbjes. Përmes një deklarate për mediat, PS akuzoi kryetarin e PD, Lulzim Basha për kërcënim të punonjësve të administratës përmes telefonatave dhe mesazheve.

Vetë dibranët flasin hapur për pazarin e votës dhe presionin politik që ushtrohet mbi ta.

Ridvan Sina, kundërshtari në domino i Fejzi Saraçit i tha BIRN se partitë politike shfrytëzojnë masivisht varfërinë e njerëzve në kohë fushatash elektorale.

“…Këtu vota shitet për një thes miell ose votohet siç do i forti i fisit. Të vijnë në derë e të kërkojnë votën përdhunshëm e më pas zhduken deri në zgjedhjet e ardhshme,” thotë ai.

Vendet e punës në administratën shtetërore janë një tjetër mënyrë për të shtrydhur vota apo për të shpërblyer militantët partiakë. Dibra ka 782 pozicione të tilla pune, për të cilat është rritur presioni gjatë kësaj fushate.

Veli Vraniçi, regjisor me titullin “Mjeshtër i Madh” ka humbur vendin e punës si drejtor i Pallatit të Kulturës vetëm pak javë më parë. Në vendin e tij është emëruar një përfaqësues i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU.

Vraniçi ndjehet i keqardhur për mënyrën se si u shkarkua-vetëm me një telefonatë, më shumë se sa nga humbja e punës.

“Në qytetet e vogla është pothuajse e pamundur të qëndrosh apo të bësh karrierë, po nuk qe i rreshtuar politikisht. Të vijnë tek dera 100 herë dhe të thonë “më jep votën”. Të thonë se je në punë, ke fëmijët në punë…. Është asfiksuese, nuk mund të mbijetosh  po nuk  nuk u rendite në një krah,”tha ai për BIRN.

Regjisori e përshkruan situatën e kësaj fushate si të çuditshme, me politikanë të të gjitha kaheve që bëjnë presion për postin e një kryebashkiaku të rangut të dytë.

“Me sa duket, forcat politike po e quajnë Dibrën një test të madh e kjo është qesharake, pasi këtu njerëzit kanë nevojë për ujë, për punë apo rrugë e për këto askush nuk flet,” thotë Vraniçi.

“Faktori” PDIU

Makinat e përdorura nga shtabi elektoral i kandidatit Muharrem Rama. Foto: Lindita Çela.

Ish-drejtori i Pallatit të Kulturës, Vali Vraniçi nuk është i vetmi që ka humbur vendin e punës për shkak të aleancës lokale mes PS dhe PDIU. Partia që mbron interesat e çamëve ka marrë së fundmi edhe postin e shefit të personelit të bashkisë së Dibrës si dhe pozicione të tjera kyçe në administratën lokale.

Makina dhe flamuj të PDIU-së në përkrahje të kandidatit të majtë, Muharrem Rama sheh në mbarë qytetin, edhe pse dega e PDIU në Peshkopi është hapur vetëm më 22 qershor.

Kryetari për Dibrën, Olti Cani-një djalë rreth të 30-ave me profesion mjek laburant thotë se deri tani, PDIU ka regjistruar 2800 anëtarë në Dibër. Ai e quan Partinë “një grupim miqsh dhe shokësh”, që i bashkon ideali i bashkimit kombëtar dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ka një marrëveshje me Partinë Socialiste dhe çdo njeri do të marrë atë privilegj që i takon në qeverisjen e bashkisë së Dibrës,” thotë Cani. Synimi i tij është marrja e 8 mijë votave në këto zgjedhje, për ta shndërruar PDIU-në force të tretë në Dibër.

Shtabi elektoral i kandidatit të majtë, Muharrem Rama e sheh rritjen e PDIU në Dibër si një vlerë të shtuar të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Ndërsa kampi i djathtë e lidh këtë kapërcim të PDIU me emrin e Ymer Lalës-një personazh i errët me lidhje të forta në zonë, i denoncuar në sallën e Kuvendit nga ish-kryeministri Berisha.

Vetë kryetari i PDIU, Olti Cani e cilëson Lalën një anëtar të thjeshtë të partisë.

“Ai është një anëtar i thjeshtë që ka kontributin dhe rolin e vet në ngritjen e Partisë, dhe këtë do e tregojmë me votat që do të marrim më 11 shator,” thotë ai.

E ardhmja e zymtë

Programet e dy kandidatëve rivalë, Muharrem Rama dhe Sherefedin Shehu nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri dhe as nga premtimet e fushatave të shkuara në Dibër.

Kandidati i djathtë, Sheferedin Shehu i tha BIRN se fokusi i tij do të jetë tek ekonomia, hapja e vendeve të punës, ndërtimi i infrastrukturës dhe nxitja e sipërmarrjes së lirë. Ai premton se do të ngrejë një administratë të përgjegjshme në shërbim të dibranëve, do të përmirësojë shërbimet në qytet dhe e sheh rininë si promotorin e zhvillimit ekonomik të zonës.

“Nën administrimin tim, me siguri do të gjeni një qytet më të pastër, me sinjalistika normale rrugore, trotuare të përmirësuara. Do të jetë një qytet më të ardhura të larta fiskale, pasi fokusi im do të jetë nxitja e sipërmarrjes së lirë, qoftë në bizes, ashtu dhe në bujqësi,” thotë Shehu, i cili e mbështet projektin e tij tek një administratë e vogël, por e specializuar.

Kandidati i majtë, Muharrem Rama nuk pranoi të intervistohej nga BIRN.

Por zyra e tij e shtypit tha se programi i zotit Rama synon rimëkëmbjen e menjëhershme të ekonomisë duke subvencionuar fermerët; hapjen e vendeve të punës; zhvillim urban me standarde europiane për qytetin e Peshkopisë, transformimin e zonave rurale, zhvillimin e turizmit si dhe rivitalizimin e jetës sociale e kulturore.

Megjithatë, premtimet e tyre bien në veshin e shurdhër të dibranëve të lodhur nga propaganda.

Alba Xhani, studente e vitit të dytë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë e sheh përqendrimin e politikanëve në qytet si një punë pa dobi.

Xhani e viziton tre herë në vit familjen e saj për shkak të rrugës së gjatë dhe të vështirë. Si çdo dibran, edhe ajo mendon se rruga e Arbërit do i ofronte më shumë mundësi zhvillimi krahinës së saj, por nuk beson se ky projekt do të realizohet në një të ardhme të afërt.

“Dy forcat politike që kanë drejtuar këtu nuk kanë menduar për zhvillimin e këtij qytetit. Vijnë vetëm në periudha fushatash, premtojnë vende punë në këmbim të votës  dhe më pas nuk duken më,” përfundon ajo.

Lindita Çela/ reporter.al