Zjarret e rënë kësaj vere në Shqipëri kanë qenë të shumta dhe mjaft problematike në shumë raste, por sa janë menaxhuar ato?! Sa herë që është ndezur një vatër e re zjarri ka pasur probleme si shkak i mungesës së mjeteve të nevojshme për shuarjen e tyre si zjarrfikëse dhe helikopterë.
Megjithatë me sa duket Bashkia e Bulqizës, njësia administrative Fushë-Bulqizë ka gjetur një mënyrë mjaft “praktike” për të shuar zjarret: Duke iu bërë presion banorëve. Familjarëve që marrin ndihma ekonomike u është shfaqur në banesë një njoftim nga Bashkia ku thotë:
Z …. njoftoheni se me dt.27.08.2017 ditën e diel duhet te jeni ne vendin ku është përfshirë nga zjarri ne malin Kokërdhak Koçaj për fikjen e tij me urdhër te Bashkisë Bulqizë, në të kundërtën nuk do te merrni asnjë shërbim pranë njësisë tonë administrative .”
Bashkia sipas qytetarëve që kanë shkruar për JOQ.al, ka kërcënuar se do u ndërpresë ndihmat ekonomike nëse nuk dalin të fikin zjarret, po a munden qytetarët e thjeshtë pa veshjen e duhur që të fikin zjarret masive?!
Redaksia e JOQ ka kontaktuar me Z. Agron Boja, i cili kishte lëshuar dhe urdhrin nga Bashkia e Bulqizës dhe e pohoi se është e vërtetë që ka nisur një letër të tillë, por sipas Bojës, nuk është një kërcënim. “Gjithçka ishte për t’i sensibilizuar qytetarët, sepse unë nuk kam fuqi t’i kërcënoj. Por zjarret na kanë pushtuar”, ishin fjalët e Agron Bojës.
BURIMI: JOQ.AL