Bashkia Bulqizë do të harxhojë afro 165 mijë euro për blerje karburanti për afro 12 muaj. Referuar të dhënave në procedurën e prokurimit publik, fitues u shpall kompania “Rejon oil” me 100% të vlerës së fondit limit.
Kontrata u bazua në ofertën me një normë fitimi prej 13.5 lekë për litër karburant, me një vlerë totale prej 16,753,333 lekë pa TVSH.
Aktualisht çmimi mesatar për një litër karburant në Shqipëri është 185 lekë dhe në total Bashkia Bulqizë do të blejë rreth 90,558 litra me një mesatare mujore prej 7,547 litra.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Bulqizë, përjashtoi nga gara kompaninë “Kastrati” edhe pse kjo e fundit kishte ofruar vlerën e fitimit më të ulët për litër, konkretisht me 11.8 lekë me një fond total prej 15,982,154 lekë.
Arsyet që çuan KVO-në në skualifikimin e kompanisë “Kastrati” ishte mungesa e dokumentacionit: Mungesa e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit por edhe e pagesave të taksave dhe tarifave vendore për vitin 2023 në disa prej bashkive në Shqipëri ku ushtron aktivitet. Në arsyet e skualifikimin thuhet edhe se kompania “Kastrati” ka një kontratë qiraje në Bulqizë me shoqërinë “IRDI oil”, e cila administrohet nga kryetari i Këshillit Bashkiak Bulqizë, Arben Çupi duke rënë ndesh me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrave publike.
Bashkia Bulqizë mban rekord në procedurat tenderuese për blerje karburanti në qarkun Dibër. Përgjatë viteve 2019-2022 u shpenzuan afro 614 mijë euro për karburant, ku kontrata e fundit ishte në shkurt dhe mars 2022 me një vlerë prej 173 mijë euro me afat 24 muaj.