Kreu i opozitës Lulëzim Basha ka prodhuar disa lajme të rëndësishme sot në fjalën e tij të mbajtur përpara një grupi profesorësh, të ftuar në Çadrën e protestës. Por ajo që ka rënë në sy dhe duket se ka kaluar në heshtje nga shumica e mediave (kuptohet përse) ishte dekonspirimi që ai i bëri një plani të Ramës, për një zgjidhje në minutë të fundit të krizës, në përpjekje për ti hedhur hi syve opozitës dhe veçanërisht ndërkombëtarëve.
Basha ka denoncuar, se Rama kërkon ta kalojë krizën që po egravon fuqishëm, duke përgatitur një tip qeverie teknike, por vetëm formalisht, transmeton syri.net.
“Dua t’u them se nuk ka asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull”, ka zbuluar Basha për herë të parë një ofertë, që mesa duket e ka në tavolinë. Por ai nuk ka specifikuar, se përse e refuzon këtë lloj “Qeverie teknike” të cilën ka më shumë se një muaj që e kërkon me këmbëngulje. Prapashtesa “kukull”, në fakt duket se shpjegon gjithçka. Çfarë po ndodh dhe cili është ky plan i Ramës për të ngritur një qeveri “teknike”, nëpërmjet së cilës do të vriste dy zogj me dy gurë duke plotësuar kushtin e opozitës dhe qetësuar ndërkombëtarët?
Duket qartë që shqetësimi i Bashës është, se Rama po përpiqet që të dhurojë formalisht për pak muaj “qeverinë teknike” të cilën do ta ketë nën kontroll dhe të mos bëjë nga ana tjetër, asnjë lëshim për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ndikimin e administratës, veçanërisht të policisë në proces. Ajo që ende nuk dihet në gjithë këtë skenar, është roli i Ilir Metës.
“Ne nuk do të pranojmë një qeveri teknike – pazar në çastin e fundit, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Ajo është beteja pa të cilën nuk kthehemi pa fitore nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, ka këmbëngulur Basha, duke djegur kështu, edhe këtë plan të Ramës.