Basha falenderim personal për aleatët e PD: Sot ndihuni krenarë…!

295

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur falënderimin e dytë brenda ditës, dhe pas qytetarëve, këtë radhë vlerësimet ja dedikon partive aleate që e mbështetën në protestën kundër qeverisë të zhvilluar gjatë ditës së djeshme.

“U shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë aleatëve të koalicionit tonë opozitar. Mirënjohje për të gjithë ju anëtarët, mbështetësit dhe drejtuesit e partive opozitare.

Sot, keni të drejtë të ndiheni krenarë për besnikërinë që u keni dhënë qytetarëve dhe kauzës të drejtë të zgjedhjeve të lira.

Personalisht, si kryetar i opozitës së bashkuar ndihem me fat, si askush tjetër në historinë 27 vjeçare të pluralizmit, për mbështetjen dhe besimin e tuaj të patundur ndaj meje dhe Partisë Demokratike”, shprehet Basha.

Bashkë me partitë aleate të djathta, Partia Demokratike ka marrë vendimin për të bojkotuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të dekretuara për tu mbajtur më 18 qershor të 2017-ës. |Për këtë garë elektorale janë regjistruar vetëm 15 parti. Ndërkohë të hënën në Tiranë vjen një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit që shihet si një shans për të arritur kompromis mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha. /Gazeta Express/