Banorët e Matit protestojnë para bashkisë, kundër HEC-eve në Zall Gjoçaj

Banorët e Zall Gjoçajt protestuan para bashkisë së Matit, të cilën e akuzojnë se i ka tradhëtuar në përpjekjen e tyre për të ndaluar ndërtimin e HEC-ve.

391
Shkurte Lala, 81 vjeç, banore e Zall Gjoçaj, në protestë para bashkisë Mat. Foto: Sami Curri

Banorët e fshatrave të Zall Gjoçaj në Mat,  protestuan të premten kundër ndërtimit të Hec-eve në Parkut Kombëtar të Zall-Gjocaj. Dhjetra banorë të mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, këtë herë kanë protestuar para Bashkisë Mat. Banorët kanë akuzuar kryetarin e bashkisë, se nuk i ka mbështetur në kërkesën e tyre për pezullimin e HEC-eve Sekë dhe Zais.

Gjatë protestës pati edhe momente të përplasjes mes tyre dhe policisë, ndërsa banorët tentuan të funsnin në bashki një arkivol, si simbol i vdekjes që sipas tyre sillnin HEC në zonë.

Shkurte Lala, 81 vjeç, banore e Zall Gjoçaj që i ishte bashkuar kësaj proteste, tregon për BIRN se në këtë protestë ka ardhur për të mbrojtur pasurinë e fëmijëve dhe të komunitetit. “Ne me atë ujë jetojmë. Kemi bagëtinë, tokat, për të pirë. Brez pas brezi kemi jetu me atë ujë e sot duan ta marrin. Është detyrë sot me u përpjek me ja lan trashigimi brezit të ri, shpërndarë si korbat nëpër Evropë” shprehet Lala.

Në tetor të vitit 2018-të, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për objektin: “ndërtimi i Hec-it Sekë dhe Zais, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit”, në bashkinë Mat dhe bashkinë Mirditë. Për ndërtimin e këtij HEC-it edhe bashkia e Matit ka shprehur dakordësinë, duke arkëtuar edhe taksën e ndikimit në mjedis.

Punimet për ndërtimin e HEC-eve Sekë dhe Zais janë ndërprerë prej disa muajsh, kjo për shkak të protestave që janë zhvilluar nga banorët e zonës. Ata kanë ngritur një çadër dhe nuk lejojnë makineritë e firmës që të vazhdojnë punimet. Të mërkurën, banorët raportojnë se është djegur edhe një kamion i firmës që kishin tentuar të rinisnin punimet.

Dhimitër Koleci, nga fshati Melth, tregon se banorët që preken nga ndërtimi i HEC-it në Zall Gjoçaj, janë të tradhtuar nga e majta dhe e djathta, pasi sipas tij, në këtë ‘krim mjedisor’ kanë firmosur dhe mbështetur të dy kryetarët e bashkisë, nga e majta dhe nga e djathta.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, në nëntor të vitit 2019-të rrëzoi padinë e banorëve të fshatrave Zall Gjoçaj, Gjoçaj dhe Melth në Mat dhe disa organizatave të shoqërisë civile, që kërkonin pezullimin e punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj, deri në marrjen e një vendimi mbi themelin e çështjes.

Ndërsa beteja në gjykatë vazhdon dhe seancat gjyqësore janë shtyrë disa herë, kjo për shkak se shoqëria “Seka-Hydropower” shpk që po ndërton HEC-et, në cilësinë e koncesionarit dhe si palë e paditur, nuk është paraqitur në seancë gjyqësore për të dytën herë rradhazi. Fillimisht mungesa ishte me argumentin që nuk është njoftuar si palë, ndërsa për të dytën herë e ka arsyetuar mungesën e avokatit mbrojtës me një raport shëndetësor.

Zona Lurë – Dea ku shtrihet një pjesë e tubacionit, bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore.

Fillimisht kompania koncesionare që po ndërton HEC-et ka qenë në pronësi të shoqërive “Hydro-Project”  dhe “Gener 2”, por menjëherë pas miratimit të koncesionit në shtator 2013, kompania ‘Gener 2’ i ka shitur aksionet tek ‘Hydro-Project.’  Hydro-Project sh.p.k është një kompani me investitorë italianë të specializuar në fushën e energjisë hidrike.

Në protestën e së premtes, para Bashkisë Mat, banorët vendosën edhe një arkivol, në shenjë simbolike se shteti po ‘vdes lumenjtë’. Protestuesit kanë tentuar që arkivolin ta vendosin në hyrje të bashkisë, por që nuk janë lejuar nga Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake. Një gjë e tillë ka sjellë përplasje mes policisë dhe protestuesëve për disa minuta.